Jessie J ka ndarë me ndjekësit e saj një përditësim emocional mbi shëndetin, katër javë pas operacionit të mastektomisë për shkak të kancerit të gjirit. Këngëtarja britanike, 37 vjeç, tha se ndonëse ndjehet më mirë çdo ditë dhe rikuperimi fizik po ecën përpara, ajo po përballet me sfida të mëdha emocionale dhe momente të vështira. “Jam mirë, por më mungon djali im. Më dhemb fakti që nuk mund ta mbaj në krahë për disa muaj,” shkroi ajo në rrjete sociale, duke shtuar se “kjo është një sakrificë e vogël për të pasur shëndetin dhe për të qenë ende këtu”.
Aktualisht, djali i saj dyvjeçar Sky ndodhet me babain në Danimarkë, për t’i dhënë Jessie-t kohë për të pushuar dhe ndjekur terapitë. Këngëtarja ka rrëfyer gjithashtu se pas diagnozës kishte hyrë në “modalitet mbijetese”, por tani po i lejon vetes të ndjejë edhe trishtim e zemërim. “Nuk i thashë dot lamtumirë gjirit tim të vjetër siç doja… Tani jam këtu, e lejoj veten të jem e trishtuar, por do të ec përpara,” shkroi ajo, duke ruajtur gjithsesi një ton të fortë dhe shpresëdhënës për të ardhmen.