Kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Florian Sulejmani, ka dhënë dorëheqjen nga detyra. Mësohet se kërkesa për dorëheqje i është dorëzuar ditën e martë ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, ndërsa ende nuk janë bërë publike arsyet që e kanë shtyrë drejtuesin e AMP-së të largohet nga posti.
Kujtojmë se vetëm pak muaj më parë, Sulejmani u pezullua nga detyra me urdhër të Prokurorisë së Beratit, pas një hetimi të nisur ndaj tij. Më pas, çështja kaloi për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës, e cila vendosi pushimin e hetimeve dhe rikthimin e tij në detyrë.
Dorëheqja e Sulejmanit vjen në një moment kur institucioni i AMP-së është përballur me kritika në rritje për menaxhimin e rasteve të dhunës policore dhe përpjekjet për rritjen e transparencës në forcat e rendit.