FLASH :

“Jeni gjobitur me 500 lekë…”/ Kujdes! Ky mesazh që ju vjen në celular është mashtrim, AKSK: Mos e klikoni linkun

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka paralajmëruar qytetarët shqiptar mbi një mesash “smishing” që synon t’i mashtrojë me gjoba të rreme për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

AKSK bën me dije se sms që i mbërrin qytetarëve përmban një link mashtrues për kryerjen e pagesave online. Ndërsa në njoftim, AKSK thekson se qytetarët nuk duhet ta klikojnë linkun në fjalë dhe nuk duhet të japin të dhënat e tyre personale.

Gjithashtu nënvizohet se AKSK ka ndërmarrë menjëherë masat për raportimin e bllokimit të faqes.

Njoftimi i plotë i AKSK:

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) informon se po qarkullon një mesazh “smishing” që synon të mashtrojë qytetarët me gjoba të rreme për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Mesazhi përmban një link mashtrues dhe kërkon kryerjen e pagesave online. Ky nuk është një komunikim zyrtar nga institucionet shtetërore dhe çdo qytetar që e merr këtë SMS duhet ta injorojë dhe të mos klikojë në link, apo të japë të dhëna personale.

AKSK ka ndërmarrë menjëherë masat për raportimin e bllokimit të faqes, për të parandaluar çdo dëm të mundshëm.

Ju bëjmë thirrje qytetarëve:

Mos hapni linqe të dyshimta që vijnë nga SMS ose email-e jozyrtare.

Mos kryeni kurrë pagesa përmes faqeve që nuk janë domaine zyrtare.

Njoftoni menjëherë AKSK ose institucionet përkatëse nëse hasni mesazhe të tilla.