Jeff Bezos, njeriu i dytë më i pasur në botë, po përgatitet të lidhë martesë me partneren e tij, Lauren Sanchez, në një dasmë luksoze në Venecia – dhe ndërsa të ftuarit VIP, përfshirë Ivanka Trump, po mbërrijnë në qytetin italian, vëmendja është përqendruar në një pyetje që ka bërë xhiron e botës: a ka nënshkruar Bezos një prenup këtë herë?
Bezos, 61 vjeç, dhe Sanchez, 55, janë parë të qeshur në Venecia, disa ditë para ceremonisë që do të mbahet të shtunën. Por asnjë konfirmim nuk është dhënë nëse çifti ka firmosur një marrëveshje paramartesore – ndryshe nga martesa e mëparshme e Bezos me Mackenzie Scott, e cila nuk përfshinte një prenup dhe përfundoi me një nga ndarjet më të shtrenjta në histori: 25% e aksioneve të përbashkëta në Amazon, rreth 35 miliardë dollarë, kaluan te Scott.
Ekspertët ligjorë bien dakord se një prenup është më se i domosdoshëm për një pasuri të tillë marramendëse. Avokati Robert Cohen, me përvojë në ndarjet e miliarderëve, i tha Wall Street Journal: “Nuk do që partneri të ketë qasje në diçka që do të ndryshojë ndjeshëm pasurinë e tij.”
Marrëveshjet prenup janë kthyer në domosdoshmëri për njerëzit ultra të pasur, sidomos ata me pasuri në shifra nëntëshifrore ose më shumë. Këto marrëveshje përfshijnë ndarje pasurish, por edhe të drejta mbi avionë privatë, makina luksoze, kafshë ekzotike dhe madje edhe postime në rrjete sociale pas divorcit.
Avokatët shpjegojnë se për personat si Bezos – që zotërojnë prona në disa shtete dhe kontinente – prenup-at përfshijnë klauzola juridiksioni, që përcaktojnë ligjin që do zbatohet, pavarësisht ku mund të ndodhë divorci.
Disa marrëveshje prenup janë aq specifike, saqë përfshijnë kushte për ruajtjen e peshës trupore, ndëshkime për tradhti apo shpërblime që rriten me kalimin e viteve të martesës – të ashtuquajturat “sunset clauses”. Për shembull: 5 milionë dollarë pas 5 vitesh martesë, 20 milionë pas 10.
Në botën e të pasurve, çdo prenup është një “lojë pushteti”, sipas avokates Nancy Chemtob. “Ai që është i gatshëm të largohet, mban të gjitha letrat në dorë,” thotë një tjetër avokat nga Atlanta.
Bezos, me më shumë se 200 miliardë dollarë në lojë, ka arsye të forta për të mos përsëritur historinë e vitit 2019. Edhe pse prenupi i tij me Sanchez mbetet mister, një gjë është e qartë: miliarderët nuk lënë më asgjë në dorën e rastësisë – sidomos kur bëhet fjalë për dashurinë.








