FLASH :

Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez mbërrijnë në Venecia mes protestave për dasmën 20-milionëshe: “Qyteti është kthyer në lodër të miliarderëve”

Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez kanë mbërritur zyrtarisht në Venecia për dasmën që tashmë është quajtur “dasma e shekullit”. Themeluesi i Amazon dhe partnerja e tij gazetare, janë fotografuar duke zbritur nga një taksi ujore pranë hotelit luksoz Aman, ndërsa përshëndetën paparacët dhe kuriozët që i prisnin.

Çifti pritet të organizojë një festë tre-ditore, me një buxhet prej 20 milionë dollarësh, ndërsa rreth 200 të ftuar VIP do të udhëtojnë me rreth 90 avionë privatë drejt qytetit lagunor. Pjesë e listës janë figura të njohura nga biznesi, politika dhe showbiz-i, përfshirë Ivanka Trump dhe Jared Kushner.

🔒 Masat e sigurisë janë maksimale, ndërsa autoritetet italiane kanë mbyllur qasje të tëra kanalesh dhe rrugicash për publikun. Festa e parë, një “party me pizhamë”, do të nisë këtë mbrëmje, ndërsa kulmi i eventit do të mbahet te kisha historike Madonna dell’Orto, e cila aktualisht është e mbuluar nga skela restaurimi – një detaj që ka ngjallur humor dhe polemika.

PROTESTAT dhe REAGIMET POLITIKE
Dasma luksoze ka shkaktuar reagime të ashpra në parlamentin italian. Deputeti i të Gjelbërve Angelo Bonelli akuzoi qeverinë se “ka shitur qytetin për tre ditë”, duke u përkulur përpara pasurisë së Bezos. “Venecia është bllokuar për një festë private, ndërsa qytetarët paguajnë faturën për sigurinë,” tha ai, duke iu referuar shpenzimeve publike për rendin dhe policinë.

Grupi ambientalist Extinction Rebellion dhe fushata No Space For Bezos kanë paralajmëruar protesta në kanale, me maska zhytjeje dhe lodra plastike për të penguar lëvizjen e taksive ujore të të ftuarve.

Një qytet i privatizuar për tre ditë?
Edhe pse festa zhvillohet në ambientet e një kishe historike ku prehet artisti Tintoretto, qytetarët vendas janë të shqetësuar për mënyrën se si Venecia po kthehet në një park lojërash për të pasurit. Aman Hotel ka ndërtuar një mol privat për 48 të ftuarit e privilegjuar që do të qëndrojnë në suitat e tij – të gjitha të prenotuara që nga dita e mërkurë.

Ndërsa shteti përpiqet të ruajë rendin dhe reputacionin diplomatik, qyteti i gondolave është ndarë në dy realitete: ai i miliona eurove dhe ai i banorëve që shikojnë nga larg, duke u ndjerë të përjashtuar nga qyteti i tyre. Dasma e Bezosit po kthehet në simbolin më të fundit të ndarjes mes elitave dhe publikut në një nga qytetet më të bukura – por më të rrezikuara – të botës.