FLASH :

JANULLATOSI DHE SHËRBIMET SEKRETE 

Roli i tashmë kryepeshkopit të ndjerë grek të Kishës Orthodhokse shqiptare Anastas Janullatos është parë gjithnjë me ndryshime nga sferat intelektualer dhe besimtarët me integritet të këtij komuniteti në Shqipëri.

Një mendje zhbiriluese dhe e mprerhtë është ajo e Atë Foti Cicit, një kleriku në mërgim, i cili e ka çmontuar qysh në gjenezë rolin misionar megallo-grek në vendin tonë të kryepriftit të errët të vendit tonë.

Ja çfarë shkruante ai qysh më 2021.

Nga Atë Foti Cici

Duke ushqyer dhe mbuluar regjimin mafioz të Janullatosit, shteti grek synon shkatërrimin e besimit ortodoks në Shqipëri, si e vetmja mënyrë për të zhbërë traditën vendore të Ortodoksisë Shqiptare. Prandaj dhe projekti shkombëtarizues duhet ta fillonte nga e para, për të ngjizur një ortodoksi “misionare”, të përbërë nga grekë dhe myslimanë të konvertuar, pa sfond historik dhe pa ndërgjegje kombëtare. Jo më kot u përjashtuan shqiptarët ortodoksë nga kryesia e Kishës.

U shkulën rrënjët identitare, duke shtënë armiqësi dhe harresë ndaj figurave themeltare ortodokse të kulturës, gjuhës dhe shtetit shqiptar. Nga ana tjetër, ngrehinat e reja ortodokse në vendin tonë u bënë me tipare dhe mbishkrime greke, edhe pse gjuha shqipe nuk ndalohet më nga shteti, siç ndodhte në të kaluarën e largët, atëherë kur u ndërtuan kishat e vjetra me mbishkrime të imponuara greqisht.

Jetësimi dhe përjetësimi i këtij projekti gjigand u arrit dhe vijon me këto mënyra:

Së pari, me investime marramendëse, duke ndërtuar kisha dhe godina greke në Shqipëri, duke hapur e themeluar projekte të shumta helenizimi në botën shqiptare, duke ngjallur “mitin e 40-ës” me varrezat e shumta ushtarake në jug dhe në të njëjtën kohë duke nxitur e manipuluar besimtarët grekë dhe sidomos diasporën greke për investime të mëtejshme.

Së dyti, me kultizimin dhe “shenjtërimin” e zbatuesit të projektit shkombëtarizues në Shqipëri.

Në këtë mënyrë nuk guxon njeri në botën greke për të vënë në dyshim përdorimin e fondeve nga “Shën Anastasi”, duke i dhënë liri dhe hapësirë për të privatizuar financat dhe për t’i përdorur paratë sipas vullnetit dhe mënyrave të tij: u blenë dhe blihen mediat, si dhe shqiptarë me potencial dhe pozitë këta tre dhjetëvjeçarë, duke përfshirë edhe politikanë të të gjitha drejtimeve.

Së treti, nëpërmjet shërbimeve sekrete, ku duket qartë se Janullatosi ka rol drejtues për shumë dhjetëvjeçarë.

Që kur ra diktatura e kolonelëve në vitin 1974 dhe peshkopi asisistent i kryepeshkopit të rrëzuar të juntës nuk u pranua si mitropolit nga hierarkia e Greqisë, Janullatosi u emërua nga shteti si pedagog. Qysh atëherë e deri në vitin 1991, ai punoi për shtetin, duke përfshirë dhe shërbime të posaçme si mbikëqyrës në misionet greke ortodokse në Afrikë, të cilat mbuloheshin ekonomikisht nga Drejtoria e Çështjeve Kishtare të Ministrisë së Jashtme të Greqisë.

*  *  *

Ishte pikërisht shteti grek që ia imponoi Janullatosin Patrikanës Ekumenike, si të vetmin kandidat për Eksark në Shqipëri.

Mbas emërimit Janullatosi ndërpreu lidhjet me Sebastianosin e Konicës, me urdhër nga qeveria greke, për t’u paraqitur në Shqipëri si një grek miqësor dhe jo i rrezikshëm ndaj shqiptarëve.

Distancimi ndaj Sevastianosit duhej bërë, përderisa ky prishte punë me terminologjinë e Vorio Epirit dhe me zhurmën që bënte si nacionalist, aq më tepër kur regjimi komunist ia kishe nxirë emrin në Shqipëri: për pothuaj një çerek shekulli Mitropoliti i Konicës ishte i vetmi zë grek që kallëzonte publikisht Shqipërinë ateiste, me aktivitete, mitingje dhe thirrje për luftë.

Sevastianosi kishte krijuar një reputacion të madh në botën greke brenda e jashtë Greqisë, por edhe në jugun shqiptar, gjë që e pohoi mbas hapjes së kufijve me ndihmë të madhe humanitare, edhe pse i sëmurë nga kanceri, e deri sa vdiq në vitin 1994.

Mitropoliti i Konicës nuk kishte lidhje me shërbimet e posaçme shtetërore greke, por mbështeste hapur partinë e djathtë Demokracia e Re, ndërsa ishte në opozitë të egër me Pasokun, e cila ishte parti socialiste dhe miqësore me sistemin ateist në Shqipëri.

Ishte kaq i madh përkushtimi i sinqertë, ndikimi politik dhe fama spirituale e Sevastianosit, saqë Janullatosi krijoi një smirë dhe urrejtje të mirëfilltë për të, edhe pse më parë bashkëpunonte me Mitropolitin e Konicës dhe merrte pjesë në mitingjet e përvitshme dhe paradën para Parlamentit, në përkujtimin e Autonomisë së Vorio Epirit.   

Personalitetet e tyre ishin krejt të kundërta. Mbrapa Sevastianosit të ashpër dhe të fuqishëm publikisht, ishte një njeri i butë, i çiltër dhe asketik, me një makinë të vjetër, në një shtëpi shumë të vjetër, i cili jetonte si murg.

Fondet e mëdha që mblidheshin nëpër Greqi dhe në diasporën greke, administroheshin nga një këshill i posaçëm me transparencë të pamohueshme dhe ndihmat shpërndaheshin në jug të Shqipërisë pa dallime. Sevastianosi ishte për kryepeshkop shqiptar në Tiranë, por për mitropolitë grekë në jug.

Ndërsa Janullatosi i privatizoi që në fillim fondet kishtare, duke krijuar një këshill me miq të tij të vjetër, duke blerë makina të blinduara dhe duke krijuar një jetë lluksoze në një vend të varfër! Me paratë e besimtarëve grekë u blenë prej Janullatosit politikanë, gazetarë dhe intelektualë shqiptarë pa skrupuj, pa fe dhe pa atdhe.

Mbrapa folësit sibilik, të brishtë dhe improvizues, fshihet një njeri shpirtlig, manjak, intrigant dhe imoral.

Ndryshe nga Sevastianosi, i cili fliste vetëm për Vorio Epirin, Janullatosi ishte për një pushtim politik dhe kulturor të të gjithë Shqipërisë, sepse kështu do të arrihej një greqizim i plotë i KOASh-it dhe jo vetëm i jugut të vendit. 

*  *  *

Kryepeshkopata e Tiranës është sot qendra agjenturore e shërbimeve sekrete greke në Shqipëri.

Prania, veprimtaria dhe arritjet e Janullatosit në vendin tonë, domethënë shkombëtarizimi i komunitetit ortodoks dhe projektet e shumta antishqiptare, nuk kanë se si të marrin mish e kockë pa shërbimet e posaçme greke që veprojnë nëpërmjet Janullatosit dhe nëpërmjet strukturave të KOASh-it.

Me mbështetje ndërkombëtare, nëpërmjet investimeve të shtetit dhe të diasporës greke, siç është dëshmuar edhe nëpërmjet përfaqësive diplomatike në Shqipëri, në Evropë dhe në ShBA, Janullatosi ka privatizuar një kishë autoqefale kombëtare, e cila përdoret për interesa antikombëtare.

“Frika ruan vreshtin”, i cili ky dikur ishte i Zotit… Intrigat, kërcënimet, dhuna dhe zhdukjet janë pikërisht metodat që ka përdorur dhe përdor Janullatosi për tre dhjetëvjeçarë, me ndihmën e shërbimeve të posaçme greke, atje ku veprojnë jo vetëm segmente të Agimit të Artë, por edhe banda të mafies shqiptare, të cilat pastrojnë paratë në projektet ndërtimore të KOASh-it.

Përderisa gjithë ky pushtim themelohet në gënjeshtra, ata shqiptarë ortodoksë që guxojnë të mbrojnë të vërtetën, duhet të ndiqen, të denigrohen, të lëndohen, apo edhe të zhduken! 

Shteti grek e di shumë mirë se sa fonde greke investohen për kontratat mafioze të Janullatosit kundër nesh këta tre dhjetëvjeçarë.

Është kaq i fuqishëm roli historik i Janullatosit brenda strukturave shtetërore greke, saqë i kanë frikën edhe vetë pushtetarët e sotëm të Greqisë. Jo më kot ish-kryeministri Tsipras propozoi Janullatosin për President të Greqisë, në vitin 2015, për të nxjerrë vendin nga kriza… 

*  *  *

Pasi u arrit shkombëtarizimi i KOASh-it, synimi i shtetit grek tashmë është shpërbërja e mëtejshme dhe e plotë e komunitetit ortodoks në Shqipëri dhe krijimi i një skene të rrezikshme gjeopolitike, ku përplasjet midis disa kishave autoqefale në vendin tonë, pas Janullatosit, të shkaktojnë përçarje komunitare dhe çarje brendakishtare, për të ndjellur trazira dhe çaste historike vendimnxitëse greke në jugun shqiptar. 

Nuk ka dyshim se shteti grek po shkatërron besimin ortodoks në Shqipëri, gjë që tregon se roli i Janullatosit këta tridhjetëvjeçarë në vendin tonë, jo vetëm që nuk ishte fetar, por po provohet çdo ditë e më tepër si një pushtim politik dhe kulturor përmes fesë; atë fe që ata nuk e mbrojnë, sepse nuk e besojnë.

Greqizimi i komunitetit ortodoks, i imponuar nga regjimi mafioz i Janullatosit, nuk u mirëprit nga shumica e shqiptarëve ortodoksë, siç u dëshmua fare qartë në regjistrimin e vitit 2011, ku ortodoksët e mohuan përshoqërimin me kishën private të Janullatosit, prandaj dhe ne nuk arritëm dot as shifrën 7%, një rezultat që u njoh nga e gjithë bota ortodokse, siç u pohua në deklaratën zyrtare të kishës ruse në vitin 2018.

Nëse bëhej një regjistrim i ri sot, nën këtë kryesi antishqiptare në KOASh, ne do ta kemi shumë të vështirë të arrijmë shifrën 4%! Kjo shifër është trashëgimia e pamohueshme e Janullatosit në botën shqiptare.

*  *  *

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *