Jahti luksoz “Abeona” i miliarderit Jeff Bezos është ankoruar sot në Portin e Durrësit. I pagëzuar me emrin e perëndeshës romake Abeona, mbrojtëse e udhëtarëve dhe fëmijëve gjatë udhëtimeve të gjata, ky jaht përfaqëson një nga mjetet më moderne të lundrimit në botë.
Jahti lundron nën flamurin e Ishujve Kajman dhe ka mbërritur në Durrës në mëngjesin e së premtes nga porti francez i La Ciotat, duke u ankoruar në kalatën nr. 5 të portit të Durrësit.
I ndërtuar nga kompania prestigjioze holandeze Damen Yachting, “Abeona” u lëshua në det për herë të parë në vitin 2023. Me një gjatësi prej 76 metrash dhe një gjerësi prej 12 metrash, jahti përfaqëson standardet më të larta të ndërtimit detar. Ai ka kapacitet për të transportuar furnizime dhe mund të akomodojë deri në 65 persona përkatësisht 45 pasagjerë dhe 20 anëtarë të ekuipazhit, përfshirë edhe personel mjekësor.
Për vizitën në Shqipëri, jahti ka përfituar nga politika fiskale e vendit, e cila parashikon shitjen e karburantit për jahtet pa TVSH apo ndonjë taksë tjetër përveç tatimfitimit që i mbahet tregtarëve. Kjo ndodh në një kohë kur qytetarët shqiptarë përballen me një nga çmimet më të larta të karburantit për litër në botë, edhe pse Shqipëria është vend prodhues hidrokarburesh.
Ndërsa turistët e luksit, që janë thjesht kalimtarë në vendin tonë, përfitojnë lehtësira të jashtëzakonshme, qytetarët që përballen me mijëra probleme ekonomike nuk gëzojnë të njëjtat privilegje.