FLASH :

Ja oferta e Danimarkës për SHBA-në: Në Groenlandë deri në 10 baza ushtarake! Gatishmëri për naftën dhe tokat e rralla

Të mërkurën, më 14 janar, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të takohet me drejtuesit e qeverisë daneze. Ende nuk është njoftuar zyrtarisht se ku do të mbahet takimi, as kush do të përfaqësojë Danimarkën. Mund të jetë ministri i Jashtëm, Lars Løkke Rasmussen. Është e mundur edhe prania e një përfaqësuesi të ekzekutivit autonom të Groenlandës. Në fakt, në qendër të agjendës është pikërisht fati i ishullit të madh të Arktikut, territor special i Danimarkës.

Trump këmbëngul: nuk përjashton “asnjë opsion”, përfshirë edhe një ndërhyrje ushtarake, për të siguruar kontrollin e asaj zone.Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, ka vendosur të kalojë nga faza e indinjatës ndaj kërcënimeve trumpiane në atë të kërkimit të një zgjidhjeje pragmatike. Kopenhaga, për rrjedhojë, do t’i bëjë një ofertë joshëse Shtëpisë së Bardhë, duke shpresuar ta qetësojë presidentin amerikan.

Pika e nisjes është marrëveshja për mbrojtjen e Groenlandës, e nënshkruar nga Shtetet e Bashkuara dhe Danimarka në vitin 1951. Ky dokument njeh ekzistencën e vetëm një pranie ushtarake amerikane, bazën ajrore Thule, e cila sot quhet Pituffik dhe është e specializuar në mbikëqyrjen hapësinore. Megjithatë, marrëveshja parashikon zgjerimin e pranisë së armatosur amerikane, me kusht që kjo të bëhet në konsultim me autoritetet daneze dhe ato të vetë Groenlandës. Dhe në fakt, gjatë Luftës së Ftohtë, Pentagoni ka ndërtuar edhe baza të tjera në ishull; njëra prej tyre është zbuluar së fundmi, nën një shtresë akulli rreth tridhjetë metra të thellë.Danezët propozojnë të rifillojnë pikërisht nga ky precedent: janë të gatshëm të pranojnë deri në 10 baza të reja amerikane.Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e mbështet këtë manovër dhe raportohet se po këshillon të ecet përpara me një projekt sigurie për Arktikun, të miratuar nga të gjithë anëtarët e Aleancës Atlantike. Megjithatë, mbetet për t’u sqaruar se si do të ndahen shpenzimet e ndërtimit dhe të menaxhimit të platformave të reja, të pajisura me instrumente teknologjike shumë të sofistikuara. Nuk ka asnjë dyshim, nga ana tjetër, për komandën operative: ajo do t’u besohet Shteteve të Bashkuara, në veçanti Joint Force Command në Norfolk, Virxhinia.Por ka edhe më tepër. Qeveria e Mette Frederiksen do t’i propozojë Rubios intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik mes SHBA-së dhe Groenlandës, këtë herë duke u nisur nga “Deklarata e Përbashkët”, e nënshkruar mes Danimarkës dhe Shteteve të Bashkuara më 6 gusht 2004. Lista e sektorëve potencialisht të përfshirë është e përgjithshme: “ndër të tjerë, kërkimi, teknologjia, energjia, çështjet mjedisore, arsimi, zhvillimi, turizmi, trafiku ajror”. Deri tani nuk ka prodhuar rezultate domethënëse. Por korniza juridike do të mundësonte akses të shpejtë të investimeve dhe kompanive amerikane në burimet e tokave të rralla, në naftë dhe në gjithçka tjetër që mund të tërheqë realisht sistemin ekonomik amerikan, jo vetëm Donald Trump./ Corriere della Sera