FLASH :

Ja momenti kur policia arreston burrin në Brazil që e mbajti peng vajzen e gruas për 22 vite dhe e përdhunonte sistematikisht

Një rast i rëndë abuzimi afatgjatë ka tronditur opinionin publik në Brazil, ku një 29-vjeçare ka denoncuar njerkun e saj 51-vjeçar për mbajtje në robëri seksuale për më shumë se 22 vite, duke lindur tre fëmijë gjatë kësaj periudhe dhe duke u detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale edhe me burra të tjerë.

Ngjarja ka ndodhur në qytetin Araucaria, në shtetin Paraná, ku viktima, emri i së cilës nuk bëhet i ditur për arsye sigurie, arriti të largohej nga banesa më 16 shtator duke i thënë abuzuesit se kishte nevojë të vizitonte fëmijët në një qendër shëndetësore. Në vend të kësaj, ajo shkoi në komisariatin e policisë dhe dha dëshminë e saj.

Sipas autoriteteve, abuzimi kishte filluar që kur ajo ishte vetëm 7 vjeç, ndërsa në moshën 15-vjeçare kishte mbetur shtatzënë për herë të parë nga njerku i saj, pasi ai ishte ndarë nga nëna e saj dhe e kishte detyruar të jetonte me të si “bashkëshorte”. Gjatë gjithë kësaj kohe, viktima ishte mbajtur nën kontroll total, pa mundësi të largohej nga shtëpia, ndërsa kamerat e sigurisë të instaluara në çdo cep të banesës monitoronin çdo lëvizje të saj.

Hetimet zbuluan se përveç përdhunimeve sistematike nga vetë autori, ajo ishte detyruar të kryente marrëdhënie seksuale edhe me më shumë se 30 burra të tjerë, ndërkohë që disa nga aktet ishin filmuar. Sipas dëshmisë tronditëse të saj, ajo detyrohej të shtirej sikur i pranonte marrëdhëniet, ndërsa meshkujt e tjerë ishin të vetëdijshëm për situatën.

Në momentin që ajo ndodhej në polici duke dhënë dëshminë, i dyshuari e telefonoi mbi 30 herë dhe i dërgoi më shumë se 15 mesazhe zanore, shumë prej tyre me përmbajtje kërcënuese, ku i thoshte: “Kthehu në shtëpi, përndryshe do kesh pasoja të rënda. Po çfarë po ndodh? Më fol, ndryshe do të ndjek vetë!”

Policia braziliane ndërhyri me forcë në banesën e tij, duke e arrestuar dhe duke sekuestruar pajisje elektronike me prova komprometuese, përfshirë video të abuzimeve seksuale. Aktualisht, ai ndodhet në paraburgim dhe po hetohet për të paktën shtatë vepra penale, përfshirë përdhunim, privim të lirisë, kërcënim, dhunë psikologjike dhe shfrytëzim seksual. Nëse shpallet fajtor, ai përballet me një dënim që mund të kalojë 100 vite burg.

Rasti ka ngjallur krahasime me ngjarjen famëkeqe të Josef Fritzl në Austri, i cili për 24 vite mbajti të burgosur dhe përdhunoi vajzën e tij në një bodrum të fshehur, duke pasur me të shtatë fëmijë. Ashtu si në atë rast, edhe kjo histori tregon për krime të kryera në heshtje brenda mureve të një shtëpie që duhej të ishte vend sigurie dhe jo skenë torture.

Ndërkohë, viktima dhe tre fëmijët e saj janë vendosur në një vend të sigurt nën mbrojtjen e shtetit, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë masa të mëtejshme për mbrojtjen e tyre fizike dhe rehabilitimin psikologjik.