Një seancë dramatike në Kongresin Amerikan ka shënuar një përplasje të ashpër mes Drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, dhe kongresmenit demokrat Jimmy Gomez, lidhur me akuzat se Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ishte i dehur kur dërgoi mesazhe për sulme ushtarake në Signal.
Gjatë një seance të tensionuar në Kapitol Hill të mërkurën, Gomez ngriti dyshime për “zakonet e pijes” së Hegseth dhe ndikimin e tyre tek vendimet e tij, duke kujtuar premtimin e Hegseth gjatë konfirmimit si shef i Pentagonit se do të shmangte alkoolin plotësisht.
“A keni dijeni nëse Pete Hegseth kishte pirë para se të nxirrte informacione të klasifikuara?” pyeti Gomez fillimisht Drejtoreshën e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard. “Nuk kam dijeni për zakonet e tij personale,” u përgjigj Gabbard.
Por kur e njëjta pyetje iu drejtua Ratcliffe, ai reagoi ashpër: “Jo, unë do ta përgjigjem këtë. Kjo është një pyetje fyerëse. Përgjigja është jo!” shpërtheu ai.
Nga ky moment, debati u shndërrua në një kaos të vërtetë, me Ratcliffe dhe Gomez duke bërtitur mbi njëri-tjetrin. “Ju nuk doni të fokusoheni tek puna e mirë që CIA po bën!” tha Ratcliffe me zër të lartë, ndërsa Gomez u përpoq të rimerrte fjalën.
Gomez iu referua akuzave të mëparshme mbi pirjen e Hegseth dhe tha se pyetja e tij ishte e domosdoshme për transparencën. “Ai qëndroi para një podiumi në Evropë me një pije në dorë. Natyrisht që duam të dimë nëse performanca e tij është komprometuar!” argumentoi ai.
Ndërsa debati vazhdonte, Ratcliffe e kundërshoi duke thënë se Demokratët nuk po bënin pyetje mbi kërcënime të rëndësishme si Kina, Rusia apo Irani, por po humbnin kohë me akuza të pabazuara.
“Ju doni të flisni për përgjegjësi? A do të pranoni përshëndetjet për një sulm të suksesshëm që i bëri amerikanët më të sigurt?” pyeti ai me ironi.
Kongresmenia demokrate Chrissy Houlahan, një ish-oficere e Forcave Ajrore të SHBA, reagoi me zemërimin e saj ndaj Ratcliffe. “Ju thatë që ne si Demokratë nuk kujdesemi për sigurinë kombëtare. Kjo është fyese, dhe unë duhet të ju vë në vendin tuaj,” tha ajo.
“Komunikimi i këtyre gjërave në Signal nuk është në rregull,” shtoi ajo, duke sugjeruar se nëse një incident i tillë do të ndodhte gjatë shërbesës së saj, ajo do të dorëhiqej menjëherë.
Kjo seancë ka nxjerrë në pah ndarjet e thella politike në Uashington dhe debatet mbi sigurinë kombëtare, duke lënë më shumë pyetje sesa përgjigje mbi incidentin e mesazheve të Hegseth dhe ndikimin e tij në qeverisjen e SHBA.