Një oficer i Policisë Metropolitane, i cili “mendonte se ishte mbi ligjin”, është dënuar me 16 vite burg për një fushatë të neveritshme abuzimi që përfshinte përdhunimin e dy grave. Jake Cummings ishte një polic ndihmës në Dorset dhe më pas oficer policie në Londër, kur kreu sjellje të gjera kontrolluese dhe shtrënguese ndaj tre grave përgjatë një periudhe prej gati pesë vitesh. 26-vjeçari i bombardoi viktimat me mesazhe dhe i izoloi nga miqtë, familja dhe kolegët. Juria dëgjoi përpos kësaj edhe për poshtërimin dhe degradimin e mëtejshëm të grave që ai përdhunoi, të cilat pësuan dëme të rënda psikologjike.
Cummings u dënua me gjithsej 16 vite burg për dhjetë vepra penale në Gjykatën e Kurorës në St Albans në Hertfordshire. Ai ishte shpallur fajtor më parë nga një juri për tre akuza për sjellje kontrolluese dhe shtrënguese, dy akuza për vëzhgim të paligjshëm dhe dy akuza për përdhunim gjatë një rigjykimi. Oficeri i turpëruar pranoi gjithashtu dy akuza për përndjekje dhe u shpall fajtor nga një juri për një akuzë të tretë për të njëjtën vepër. Gjyqtari Bilal Siddique i tha të pandehurit, nga Stevenage, Hertfordshire, se ai kishte përdorur një “model jashtëzakonisht të ngjashëm abuzimi” ndaj viktimave të tij. Ky ishte një “abuzim i planifikuar dhe aspak impulsiv”, shtoi gjyqtari, duke thënë: “Periudha e veprave penale – që nga korriku 2019 deri në shkurt 2024 – mund të përshkruhet vetëm si një fushatë abuzimi.”
Gjyqtari Siddique vuri në dukje se “vëllimi i madh i kontaktit” nënkuptonte që një pjesë e tij “duhet të ketë ndodhur gjatë turneve të tua si oficer policie”. Pamjet e publikuara nga policia tregojnë Cummings-in të rrethuar nga oficerë në momentin e arrestimit në shtratin e tij në orët e para të 24 shkurtit të vitit të kaluar. Pasi iu lejua të vishej, ai shihet duke fërkuar duart nervozisht në dhomën e ndenjës përpara se të shoqërohej drejt një furgoni policie për t’u dërguar në komisariat, ku mohoi çdo shkelje gjatë intervistave nga kolegët e tij.
Gjatë gjyqit të parë të Cummings-it, oficeri i Met, Zak Russell, dëshmoi: “Mbaj mend që gjatë turneve ai ishte vazhdimisht në telefon dhe i dërgonte mesazhe dikujt gjatë gjithë kohës.” Prokurori Tom Little KC, duke hapur gjyqin, i tha jurisë se i pandehuri kishte shfaqur “sjellje jashtëzakonisht kontrolluese, shtrënguese dhe manipuluese”, pasi “mendonte se ishte mbi ligjin”. Kjo sjellje vazhdonte edhe pasi marrëdhëniet përfundonin, dëgjoi juria. I pandehuri u pranua si polic ndihmës në Dorset që nga viti 2018 dhe iu bashkua Policisë Metropolitane si oficer në nëntor të vitit pasues, kur u zhvendos në Aylesbury, Buckinghamshire. Secila nga tre viktimat e Cummings, të moshës nga 19 deri në 24 vjeç dhe që vinin nga Dorset, Hertfordshire dhe Buckinghamshire, rrëfyen histori rrëqethëse ngacmimi dhe kontrolli shtrëngues, me njërën prej tyre që mbahej nën mbikëqyrje me kamera sigurie. Juria dëgjoi se ai përdorte aplikacionet Life360 dhe TeamViewer për të ndjekur vendndodhjen e viktimës së parë, duke i dhënë atij “kontroll dhe dijeni si me pincë”. Ai gjithashtu krijoi llogari të shumta në rrjete sociale për t’i dërguar mesazhe – me mbi 5,000 mesazhe mes tyre, shumica nga Cummings – dhe ai shpesh udhëtonte në rrugën ku ajo banonte.
Hetimet nga policia filluan kur njëra prej viktimave bëri një denoncim në shkurt 2024. Vëmendja mediatike pas ngritjes së akuzave çoi në denoncimin e viktimës së dytë në fund të të njëjtit muaj. Policia identifikoi një viktimë të tretë pas kontrollit të telefonit të Cummings disa javë më vonë. Rasti fillimisht u mor nga Ekipi për Hetimin e Veprave Seksuale në Hertfordshire, përpara se të kalonte tek Njësia e Krimeve të Rënda të Bedfordshire, Cambridgeshire dhe Hertfordshire për shkak të rrethanave të ndërlikuara.
Cummings u përjashtua nga Policia Metropolitane pas një seance disiplinore që konstatoi se ai kishte kryer sjellje të rëndë. Pas dënimit, Neil Vaughan nga Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës (CPS) tha: “Jake Cummings mendonte se ishte mbi ligjin, por dënimet e tij provojnë të kundërtën. Këto gra nuk njiheshin mes vete, por së bashku ndërtuan një tablo bindëse që ekspozoi modelin e neveritshëm të abuzimit të kryer nga Cummings.”
Ai shtoi se CPS kishte bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Hertfordshire pas këtij “hetimi të ndërlikuar”, duke shtuar: “Shpresojmë që këto dënime të përforcojnë mesazhin e qartë se CPS do të ndjekë pa pushim drejtësinë për viktimat e përdhunimit dhe krimeve të rënda seksuale.” Detektivi Inspektor Dale Mepstead, nga Njësia e Krimeve të Rënda, tha: “Ndikimi emocional i veprimeve të Cummings do të mbetet me viktimat e tij për shumë vite, por falë dëshmive të tyre të guximshme ai më në fund u përball me drejtësinë.” Detektivja Ellie Cowling nga Ekipi për Hetimin e Veprave Seksuale e përshkroi Cummings-in si një “abuzues serioz dhe grabitqar”. Ajo tha: “Askush nuk është mbi ligjin dhe ne gjithmonë do të veprojmë kur ngrihen akuza.”