FLASH :

Ja kush ja lëviz fijet kukullës së Kadastrës, e vendosur për të mos kuptuar gjë

Lajme Troç, ka ndërmarrë nismën për të denoncuar problematikat më të shpeshta që qytetarët hasin me Kadastrën shtetërore, e njohur ndryshe dhe si Hipoteka.

Kjo iniciativë vjen si pasojë se ky institucion konsiderohet si më të korruptuarit dhe që vepron kundër interesave të qytetarëve, në rang republike.

Policia rrugore dhe Hipoteka, janë institucionet më të korruptuara për perceptimin qytetar, sipas çdo sondazhi mbi korrupsionin që është zhvilluar vitet e fundit.

Në krye të këtij institucioni që nga korriku i vitit të kaluar është vendosur ish-marioneta e Niko Peleshit, Lorena Goxhibelli.

Me siguri ajo duhet të ketë aftësi të spikatura dhe të veçanta që e ka ndjekur kudo ish-ministrin, në ministrinë e Mbrojtjes, ku shërbente si këshilltare e jashtme ligjore për pronësinë në kabinetin e ministrit që prej qershorit 2022, në vitet 2014 – 2017 kur ka mbajtur postin e këshilltarit ligjor të Zëvendëskryeministrit, e më pas të këshilltarit ligjor të Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, deri në muajin maj të vitit 2022.

Por nuk është kjo më e rëndësishmja.

Burime të mirëinformuara bëjnë me dije se drejtoresha është vendosur në atë detyrë pikërisht që të mos kuptojë se çfarë behet me pronat.

Ajo orientohet nga njerëz të korruptuar që drejtojnë njësitë vendore.

Dy figura të errëta dhe të spikatura brenda qeverisë që lëvizin fijet e drejtoreshës janë Edi Nufi, vëllai i shefit të kabinetit të zv.kryeministres Bela Balluku dhe Ergys Skënderi, drejtori i Hipotekave Vlorë, i emëruar në këtë pozicion me suportin e Vangjel Tavos, si lëshim që Rama i bëri grekëve për çështjen Beleri, në kurriz të pronarëve shqiptarëve të ndershëm.

Niveli i korrupsionit i Skënderit në Hipotekën e Vlorës ka arritur në atë pikë, sa një qytetar i thjeshtë, për të regjistruar pronën në bregdet, duhet të paguaj zyrtarisht dhe nën dorë 20 euro m2, njësoj si ta blinte nga e para pronën e tij.

Dhe të mendosh që Skënderi ishte emëruar në këtë detyrë, gjoja me prioritet për të zgjidhur çështjen e pronave të Himarës.

Drejtoresha i di këto, por nuk vepron sepse është vënë në atë detyrë pikërisht për të mos vepruar.

Hipotekat vazhdojnë pas 34 vjetësh demokraci të jenë problemi real më i madh i shqiptarëve sa i takon pronave.

Lajme Troç nis një cikël investigimesh të thelluara mbi raste konkrete të Drejtoreshës dhe vartësve të saj në rrethe.

Raportoni rastin tuaj në rrjetet tona sociale si dhe në e-mailin info@lajmetroc.al dhe të gjitha rastet pasi të vërtetohen me fakte do të publikohen me transparencë të plotë.