Një tjetër rast i mbajtjes së paligjshme të armëve është zbuluar nga policia në qytetin e Lushnjës, duke konfirmuar shqetësimin në rritje për përhapjen e arsenalëve të armëve në duar të gabuara. Pas një kontrolli të befasishëm në një banesë në Karbunarë, u sekuestruan disa armë zjarri dhe municion luftarak, ndërsa 50-vjeçari që i posedonte përfundoi në pranga.
Ja njoftimi i policisë:
Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu çifte, 3 krëhëra dhe dhjetra fishekë luftarak.
Vihet në pranga 50-vjeçari që mbante armët dhe municionin luftarak në banesën e tij, në Karbunarë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas mbante armë zjarri pa leje në banesën e tij, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Strike”.
Në kuadër të këtij operacioni, u ushtrua kontroll i befasishëm në banesën e shtetasit V. Ç. ku gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu çifte, 3 krëhëra me fishekë dhe municion luftarak.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. Ç., 50 vjeç, banues në Karbunarë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.







