Seanca parlamentare e nesërme në Kuvend pritet të zhvillohet nën tensionin e rritur politik, me opozitën që ka paralajmëruar një reagim të fortë për zgjedhjet e 11 majit dhe mazhorancën që shqetësohet më shumë për karriget bosh se për legjitimitetin e procesit zgjedhor.
Në një mesazh dërguar deputetëve demokratë, Gazment Bardhi thekson se pjesëmarrja është e rëndësishme për të denoncuar me fakte farsën elektorale, duke nënkuptuar se për PD-në, Kuvendi i nesërm nuk është thjesht procedurë, por një betejë politike kundër një procesi që e konsiderojnë të manipuluar dhe të komanduar nga pushteti.
Ndërkohë, Partia Socialiste, në stilin e zakonshëm të menaxhimit teknik, i ka ftuar deputetët e saj të mblidhen paraprakisht në orën 11:30, për të diskutuar “mbarevajtjen e veprimtarisë parlamentare” dhe për të shmangur mungesat. Te zgjedhjet, nuk ka asnjë referencë. Ato tashmë janë “futur në xhep” për PS-në, që më shumë sesa për rezultatin, duket se shqetësohet për protokollin dhe numrin e ulëseve të zëna në sallë. Në një kohë kur opozita kërkon transparencë për atë që e konsideron një akt të rëndë politik, mazhoranca duket më e interesuar të ruajë aparencën.
Më poshtë do të gjeni të dyja mesazhet :
PD
Të nderuar kolegë, nëser në orën 12:00 është seanca plenare e Kuvendit, në të cilën do të marrin pjesë dhe do të bëjmë gjithçka për të paraqitur faktet e plota për farsën elektorale të 11 majit.
dhe
PS
Pershendetje kolege! Siç jeni vene ne dijeni, neser, e Enjte, date 29 Maj, ora 12.00 zhvillohet seanca plenare e rradhes. Paraprakisht, ne 11.30 do te zhvillojme mbledhjen e Grupit Parlamentar, po aty, ne Sallen e Seancave Plenare. Diskutojme mbarevajtjen e veprimtarise parlamentare ne komisione dhe seanca pergjate javeve ne vazhdim. Pjesemarrja eshte e domosdoshme. Faleminderit‼







