Në Gramsh, ku 70 fëmijë u paraqitën në spital me simptoma helmimi nga një kopsht publik, shteti nuk po jep përgjigje. Përkundrazi, shteti po heton… veten. Më saktë, Prokuroria e Elbasanit që ka marrë në dorë dosjen, drejtohet nga Kreshnik Ajazi – vëllai i kryetarit të Bashkisë Gramsh, Besion Ajazi. Pra, vëllai po heton vëllanë. Dhe askush nuk sheh problem.
Ky konflikt flagrant interesi ka shtuar edhe më shumë dyshimet e prindërve dhe opinionit publik se çështja po fshihet nën qilim, ndërsa përgjegjësitë institucionale po relativizohen.
Vetë kryebashkiaku e ka cilësuar situatën si disa “raste të izoluara” dhe ka mohuar një helmim masiv, duke u fshehur pas një raporti zyrtar ende të papërfunduar. Ndërkohë, analizat e para – sipas burimeve të Ministrisë së Shëndetësisë – nuk gjejnë as salmonelë, as bakterie. Thjesht: fëmijët janë helmuar… me ajër?
Në një shtet normal, një kryebashkiak do të jepte dorëheqjen për një incident kaq të rëndë në një institucion nën varësinë e tij. Në një shtet me drejtësi të pavarur, një hetim nuk do të delegohej tek familja e të dyshuarit. Por në Shqipërinë e Edi Ramës me 83 mandate, edhe drejtësia është një degë e pushtetit.
Fëmijët po shërohen, por e vërteta rrezikon të mbetet e sëmurë. Dhe besimi i qytetarëve në shtet i helmuar.
Komunikim për publikun:
Në kuadër të transparencës, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon ndjekjen e procedurave ligjore dhe informimit të publikut, lidhur me kampionaturat e marra në produktet ushqimore lëndë e parë në kopshtin Nr .1 në qytetin e Gramshit dhe në subjektin furnizues në Tiranë, të cilat u dërguan për analizim për treguesin Salmonella spp pranë Laboratorit të Referencës në ISUV.
Informorjmë se për mostrat e dërguara për analizim për produktet lëndë e parë qumësht dhe kofshë pule, të kampionuara nga DRAKU Elbasan, si dhe produktet qumësht, kofshë pule, vezë e kampionuar nga DRAKU Tiranë, kanë rezultuar të pastër për treguesin Salmonella spp.
Ndërsa për produktin vezë kampionuar nga DRAKU Elbasan dhe kofshë pule kampionuar nga DRAKU Tiranë, analizimi është ende në proces.
Sapo të kemi këtë informacion, AKU do të vijojë me informimin e mëtejshëm të publikut.







