Forcat izraelite kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh ajrore në Rripin e Gazës, duke vrarë të paktën 101 palestinezë vetëm gjatë orëve të para të ditës së sotme. Mes viktimave, 36 ndodheshin në zonën e al-Mawasi, e shpallur më herët si “zonë e sigurt” nga vetë ushtria izraelite.
Sulmet intensive vijnë ndërsa Izraeli po përgatitet për një tjetër ofensivë tokësore në territorin e rrethuar, ndërkohë që në Katar janë rifilluar negociatat për një armëpushim mes Tel Avivit dhe Hamasit.
Ndërkohë, liderët arabë të mbledhur në Bagdad kanë kërkuar me ngulm ndalimin e luftës në Gaza dhe i kanë bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndërhyjë për të garantuar futjen e ndihmave humanitare në enklavën e shkatërruar.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që prej fillimit të luftës janë vrarë të paktën 53,272 palestinezë dhe janë plagosur 120,673 të tjerë. Megjithatë, Zyra e Medias së Qeverisë së Gazës ka përditësuar shifrën totale të viktimave në mbi 61,700, duke shtuar se mijëra të zhdukur nën rrënoja konsiderohen të vdekur.
Nga ana tjetër, Izraeli ka pësuar 1,139 viktima gjatë sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023, ndërsa mbi 200 persona janë marrë peng dhe ende mbahen në Gazë.







