Gazetari palestinez i Al Jazeera-s, Anas Al-Sharif, është vrarë së bashku me katër kolegë të tij në një sulm ajror izraelit në qytetin e Gazës, pranë spitalit Al-Shifa. Sipas drejtorit të spitalit, tenda ku ndodheshin ishte e shënuar qartë me shenjën “Press”, por u godit nga një raketë, duke lënë të paktën shtatë të vdekur. Al-Sharif, 28 vjeç, ishte bërë një nga fytyrat më të njohura të raportimit nga Gaza, veçanërisht pasi Izraeli ndaloi hyrjen e mediave ndërkombëtare në territor. Ai ishte punësuar nga Al Jazeera në dhjetor 2023, pasi pamjet e tij nga bombardimet në Jabalya u bënë virale, dhe që atëherë raportonte çdo ditë për pasojat e luftës.
Ushtria izraelite e akuzoi gazetarin për lidhje me Hamasin dhe drejtimin e një qelize që kryente sulme me raketa ndaj civilëve dhe forcave izraelite – akuza që ai i kishte mohuar publikisht, duke deklaruar se ishte vetëm një reporter që tregonte të vërtetën nga terreni. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve dënoi vrasjen, duke e cilësuar pjesë të një “modeli të dokumentuar të akuzave pa prova” kundër gazetarëve. Që nga fillimi i luftës, sipas CPJ, 192 gazetarë janë vrarë, 184 prej tyre palestinezë të vrarë nga Izraeli. Në testamentin e tij, Al-Sharif kishte shkruar: “Nëse vdes, vdes i palëkundur mbi parimet e mia… Mos e harroni Gazën dhe mos më harroni në lutjet tuaja.”

