FLASH :

Izraeli urdhëron evakuimin e plotë të Gazës/ Netanyahu paralajmëron: “Ky është vetëm fillimi”

Izraeli ka urdhëruar evakuimin e plotë të qytetit të Gazës, ku jetojnë rreth një milion palestinezë, përpara një ofensivë të re ushtarake që synon marrjen nën kontroll të qytetit më të madh të enklavës.

“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit janë të vendosura të mposhtin Hamasin dhe do të veprojnë me forcë të madhe në qytetin e Gazës, ashtu siç kanë bërë në gjithë Rripin,” – tha zëdhënësi ushtarak Avichay Adraee, duke u bërë thirrje civilëve të largohen menjëherë drejt zonës “humanitare” të Al-Mawasi. Mesazhet u shpërndanë edhe me fletushka të hedhura nga ajri, të shoqëruara me harta që tregonin rrugët e evakuimit.

Kryeministri Benjamin Netanyahu e cilësoi këtë si “vetëm fillimin e manovrës tokësore të intensifikuar në Gaza City”, ndërsa avionët izraelitë vazhduan bombardimet mbi ndërtesa të larta dhe zona të dendura me banorë. Ushtria izraelite pretendon se tashmë kontrollon 40% të qytetit.

Megjithatë, deri më tani vetëm rreth 70 mijë persona – më pak se 10% e popullsisë së qytetit – kanë mundur të largohen. Ndërkohë, Izraeli ka lejuar hyrjen e vetëm 3 mijë tendave në të gjithë Rripin, ndërsa synimi është të dërgohen 100 mijë brenda tre javësh. “Ne duam ta përmbytim Gazën me tenda,” tha një zyrtar izraelit.

Plani përfshin edhe zgjerimin e pikave të shpërndarjes së ndihmave përmes Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), nga 4 aktualisht në 16, por ende nuk ka prova se të gjitha këto qendra janë ngritur. Ndërkohë, shumë banorë të Gazës kanë deklaruar se “më mirë të vdesin në shtëpitë e tyre sesa të shpërngulen sërish”.