FLASH :

Izraeli rrezikon përjashtimin nga UEFA për shkak të luftës në Gaza

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të mblidhet sot për të vendosur nëse Izraeli do të lejohet të vazhdojë pjesëmarrjen në garat europiane të futbollit.

Një nga opsionet që pritet të diskutohet është pezullimi i përfaqësueses izraelite dhe i klubeve të saj nga të gjitha kompeticionet e UEFA-s. Shkak për këtë masë të mundshme është lufta në Gaza, e cila ka rritur ndjeshëm presionin mbi institucionin më të lartë të futbollit europian.

Fushata të shumta ndërkombëtare, mes tyre edhe ajo me hashtagun #GameOverIsrael, kërkojnë përjashtimin e Izraelit nga futbolli ndërkombëtar. Mbështetje kanë dhënë edhe disa federata të rëndësishme, përfshirë atë italiane dhe spanjolle, të cilat janë shprehur kundër zhvillimit të ndeshjeve me skuadra izraelite.

Edhe stadiumet nuk kanë mbetur jashtë këtij debati. Prej muajsh, në ndeshje të ndryshme shfaqen pankarta kundër luftës. Ndërkohë, figura të njohura të botës së futbollit, si legjenda franceze Eric Cantona, kanë dalë hapur në mbështetje të përjashtimit të Izraelit nga garat europiane.

Vendimi i UEFA-s pritet me interes të madh, pasi mund të sjellë pasoja të rëndësishme në arenën ndërkombëtare të futbollit.