FLASH :

Izraeli përdor “Besën” shqiptare si besnikëri të Ramës për t’iu bekuar vrasjet e mbi 50 mijë civilëve

Shteti hebre që ka masakruar mbi 50 mijë civilë, pas sulmit të Hamasit në Izrael që shkaktoi mbi 1 mijë viktima dhe solli rrëmbimin e 200 personave, një pjesë e të cilëve janë liruar, dekoroi Edi Ramën për “Besën” shqiptare në shpëtimin e hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore.

Vetëm se në dhënien e dekoratës së nderit nga presidenti izraelit, kryeministri shqiptar, u vlerësua faktikisht si ndër të paktët liderë evropianë, që kanë dalë hapur me një gjuhë të zjarrtë, për ta quajtur Hamasin si nazistët e shekullit të ri, ndërkohë që nuk ka thënë gjysmë fjale për mbi 50 mijë civilët palestinezë të vrarë nga bombardimet dhe mësymjet ushtarake të Izraelit në Gaza dhe më gjerë.

Kryeministri Rama nuk kishte si të hiqte dorë nga një shfaqje e tillë vlerësimi për të në arenën ndërkombëtare.

Vetëm se ka një dallim të madh midis të vlerësuarit si një kampion kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, vlerësime për shembull që Shtetet e Bashkuara ia kanë bërë disa prokurorëve dhe gjyqtarëve shqiptarë, dhe vlerësimit si një palaço, i cili për pak vëmendje në arenën ndërkombëtare, e ka kapur çështjen e Izraelit, në mënyrën më ekstreme. Çdo lider tjetër evropian, shfaq më tepër vetëpërmbajtje dhe etikë në shprehjen në favor apo kundra njërës palë apo tjetrës, por ajo e Ramës duket një lëvizje tipike prej narcizisti, i cili duke qenë se është në fushatë zgjedhore, kërkon të kapitalizojë çdo faktor të brendshëm apo të jashtëm për të rivitalizuar figurën e tij të dalë boje dhe të përbuzur nga Perëndimi, si një prej kryeministrave të njërit prej shteteve më të korruptuara dhe të varfëra të Evropës.

Nuk dihet se si mund ta presë komuniteti mysliman shqiptar këtë kapardisje të Ramës, si flamurtar i anti-islamizmit në veprim, në një moment kur Shqipëria është një vend me shumicë dërrmuese myslimane dhe prijësi i tyre, po bekon masakrat e një popullsie të tërë të pafajshme dhe të pambrojtur nga një makineri bombash dhe urrejtjeje etnike e fetare mbi ta, me mbështetjen e SHBA-ve dhe heshtjen e një BE-je pa këllqe.