FLASH :

Pamje të rënda/ Izraeli masakron palestinezët që po merrnin ndihma

Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka njoftuar se të paktën 45 palestinezë janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur rëndë pas një sulmi izraelit të martën në mëngjes në rrethrrotullimin Al-Tahlia në Khan Younis. Viktimat, sipas autoriteteve lokale, ishin grumbulluar në pritje të ndihmës humanitare kur u qëlluan nga forcat izraelite.

Spitali Nasser në Khan Younis është në kolaps total. Njësitë e urgjencës, kujdesit intensiv dhe sallat kirurgjikale janë tejmbushur përtej kapaciteteve të tyre. Mjekët dhe infermierët përballen me mungesë të theksuar të furnizimeve bazike, ndërsa autoritetet shëndetësore i kanë bërë thirrje të menjëhershme bashkësisë ndërkombëtare për ndihmë urgjente mjekësore.

Ky sulm vjen mes një krize humanitare në përkeqësim të vazhdueshëm në Rripin e Gazës, ku bllokada izraelite dhe bombardimet intensive kanë lënë më shumë se 2 milionë civilë pa akses në ushqim, ilaçe dhe ujë të pastër. Pamjet nga vendngjarja tregojnë trupat e viktimave të shtrirë në rrugë, teksa qytetarë të tjerë përpiqen të ndihmojnë të mbijetuarit mes rrënojave.

Kjo ngjarje ka shkaktuar indinjatë të gjerë në rrjetet sociale dhe rrit edhe më shumë presionin mbi qeveritë ndërkombëtare për të ndërmarrë veprime konkrete ndaj krizës humanitare që po shpaloset në Gaza. Deri tani, nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare nga autoritetet izraelite mbi masakrën në Khan Younis.