FLASH :

Izraeli i ndërpret energjinë dhe ujin zyrave të UNRWA: “Po i fikim dritat!”

Ministri izraelit i Energjisë, Eli Cohen, ka njoftuar ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike dhe ujë për zyrat e agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), si pjesë e një fushate për ta ndaluar plotësisht veprimtarinë e saj në territorin izraelit. “Po i fikim dritat në UNRWA!”, deklaroi Cohen në rrjetin X, duke akuzuar agjencinë se vepron si “krah operativ i Hamasit” dhe si një “terr i pjellor për nxitje dhe vrasje”.

Kjo masë vjen pas një sërë vendimesh ligjore të Knessetit që ndalojnë aktivitetin e UNRWA-së në Izrael, përfshirë mbylljen e zyrës kryesore në Jerusalemin Lindor dhe gjashtë shkollave të saj. OKB e ka mohuar çdo lidhje me Hamasin dhe e ka cilësuar ndalimin si pengesë për ndihmën humanitare. Ndërkohë, UNRWA mbetet jetike për palestinezët në Gaza, të cilët po përballen me mungesë ushqimi dhe kushte katastrofike, ndërsa ofensiva izraelite ka vrarë mbi 58,000 persona, shumica gra dhe fëmijë. Izraeli po përballet aktualisht me hetime ndërkombëtare për krime lufte dhe gjenocid në dy gjykatat më të larta të drejtësisë globale.