FLASH :

Izraeli godet Teheranin me më shumë se 60 avionë luftarakë, në shënjestër qendra raketash dhe objekt bërthamor

Tensioni mes Izraelit dhe Iranit ka hyrë në një fazë të re përshkallëzimi ushtarak. Forcat Mbrojtëse Izraelite (IDF) kanë njoftuar se gjatë natës kanë ndërmarrë dhjetëra sulme ajrore kundër disa objektivave strategjike në kryeqytetin iranian, Teheran. Sipas IDF, në operacion morën pjesë mbi 60 avionë luftarakë, të cilët përdorën rreth 120 municione për të goditur objektiva të lidhura me kapacitetet ushtarake dhe bërthamore të Iranit.

Në shënjestër kanë qenë vendet e prodhimit të raketave ushtarake dhe një qendër kërkimore që dyshohet se është e përfshirë në zhvillimin e armëve bërthamore nga regjimi iranian. Ky sulm i koordinuar dhe i intensifikuar vjen në një moment kur shqetësimet ndërkombëtare për ambiciet bërthamore të Teheranit janë rritur ndjeshëm.

Nga ana tjetër, IDF njoftoi se Irani ka reaguar gjatë natës me goditje ndaj jugut të Izraelit, por detaje të plota mbi dëmet apo viktimat nuk janë konfirmuar ende. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar i ka sytë nga Gjeneva, ku pritet të zhvillohen negociata për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm në Lindjen e Mesme.