FLASH :

Izraeli godet një shkollë të kthyer në strehë në Gaza: Të paktën 25 të vdekur, gra e fëmijë mes viktimave – Jep dorëheqje kreu i Fondacionit Amerikan të Ndihmës

Një tjetër tragjedi në Gaza. Të paktën 25 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga një sulm ajror izraelit që goditi një shkollë të kthyer në strehë në lagjen Daraj të qytetit të Gazës, gjatë natës. Ndër viktimat ka gra dhe fëmijë, ndërsa disa trupa janë gjetur të djegur, sipas raportimeve të ekipeve të shpëtimit.

Ushtria izraelite (IDF) deklaroi se godina ishte shndërruar në një qendër komande të Hamasit dhe Xhihadit Islamik Palestinez.

“Qendra e komandës dhe kontrollit u përdor nga terroristët për të planifikuar dhe mbledhur informacione për sulme kundër civilëve izraelitë dhe trupave të IDF-së”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Izraeli pretendon se ka përdorur municione precize, mbikëqyrje ajrore dhe informacione të verifikuara për të minimizuar dëmet ndaj civilëve. Por pasojat në terren tregojnë një tjetër realitet.

Dorëheqje në protestë: Jake Wood largohet nga Fondacioni Humanitar për Gazën

Po në të njëjtën ditë, Jake Wood, ish-marins amerikan dhe drejtor i Fondacionit Humanitar për Gazën (GHF), dha dorëheqjen në shenjë proteste ndaj mënyrës si po menaxhohet ndihma humanitare.

Në deklaratën e tij, Wood shkruan se Fondacioni, i mbështetur nga SHBA dhe i krijuar për të shpërndarë ndihma sipas një plani të veçantë izraelit, “nuk është në gjendje të respektojë parimet bazë të humanizmit, neutralitetit, paanshmërisë dhe pavarësisë.”

Plani në fjalë, i cili parashikonte përfshirjen e kompanive private në shpërndarjen e ndihmave në “zona të sigurta” në jug të Gazës, nuk u zbatua kurrë, ndërkohë që OKB-ja dhe organizatat humanitare e kanë kritikuar ashpër për mungesë transparence dhe kontroll të pavarur.

Kriza humanitare përkeqësohet

Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, që prej 2 marsit asnjë ndihmë humanitare nuk ka hyrë në Rripin e Gazës, ndërsa rreth 500 mijë njerëz rrezikojnë të vdesin nga uria.

Ky sulm është vetëm një ndër valën në rritje të operacioneve ushtarake izraelite në Gaza, të nisura në fillim të majit me qëllimin e deklaruar të çmontimit të Hamasit dhe lirimit të pengjeve të rrëmbyer më 7 tetor 2023.

Kjo ngjarje thellon ndjeshëm krizën humanitare dhe ngre sërish pyetje mbi legjitimitetin dhe etikën e operacioneve ushtarake në zonat e banuara.