Franca dhe Gjermania, dy nga shtetet më të preferuara për azilkërkuesit shqiptarë në valët e fundit të emigracionit, nuk janë më destinacionet kryesore. Të dhënat më të fundit nga Eurostat tregojnë se Italia është rikthyer si destinacioni kryesor për kërkesat për azil nga shqiptarët – për herë të parë pas disa vitesh.
Sipas raportit për periudhën janar-mars 2025, janë regjistruar 465 kërkesa për azil në Itali, duke shënuar një rritje prej 4.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Italia përbën tashmë 32% të totalit të kërkesave për azil nga shqiptarët në BE, duke lënë pas Francën dhe Gjermaninë, që deri vitin e kaluar mbanin pozitat e para.
Në Francë u regjistruan vetëm 355 kërkesa për azil – një rënie me 46% në krahasim me vitin e kaluar dhe katër herë më pak se në vitin 2022, kur aplikimet atje patën arritur kulmin. Gjermania, nga ana tjetër, shënoi një rënie edhe më të madhe: vetëm 230 aplikime në tre muajt e parë të vitit 2025, që përbën një tkurrje me 54% krahasuar me një vit më parë.
Ekspertët theksojnë se drejt Gjermanisë tashmë po orientohet më shumë emigracioni me leje pune, sidomos për profesionistët e fushave si mjekësia, infermieria dhe teknologjia e informacionit.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është ngjitja e Greqisë në vend të tretë, me 245 kërkesa, duke kaluar për herë të parë Gjermaninë në këtë renditje. Belgjika renditet e katërta me 85 kërkesa, e ndjekur nga Irlanda me vetëm 30 aplikime.
Në total, gjatë janar-marsit 2025 janë regjistruar 1,445 kërkesa për azil nga shtetas shqiptarë në vendet e BE-së – një rënie prej 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 dhe niveli më i ulët që nga pandemia në vitin 2021.
Krahasuar me kulmin e pas pandemisë në vitin 2022, aplikimet këtë vit janë 51% më të ulëta – një tregues i qartë i ndryshimit të prirjeve migratore dhe rritjes së vështirësive për të marrë azil në vendet kryesore të BE-së.







