Duke nisur nga shtatori, telefonat celularë do të ndalohen plotësisht edhe në shkollat e mesme italiane, sipas një dekreti të ri të Ministrisë së Arsimit dhe Meritës, njoftuar të hënën nga ministri Giuseppe Valditara.
Ndalimi, që do të hyjë në fuqi pas pushimeve verore, shtrihet tashmë përtej moshës 15-vjeçare, duke i dhënë fund tolerancës së mëparshme në shkollat e larta. Përjashtime do të lejohen vetëm për raste të veçanta, si për nxënësit me aftësi të kufizuara që varen nga pajisjet për komunikim apo ndihmë teknologjike.
“Duam t’i rikthejmë qetësinë dhe përqendrimin shkollës. Studimet tregojnë se përdorimi i tepërt i celularëve dëmton shëndetin dhe rezultatet akademike,” u shpreh ministri Valditara, i cili vjen nga partia e ekstremit të djathtë Liga.
Përmes dekretit, telefonat duhet të dorëzohen ose mbyllen në ndarje të veçanta përpara nisjes së mësimit. Edhe pse ndalimi ka ekzistuar formalisht prej vitesh në sistemin arsimor italian, zbatimi ka qenë i dobët dhe shpesh i anashkaluar, sidomos në arsimin e mesëm.
Vendimi vjen mes një debati më të gjerë në Europë mbi rolin e teknologjisë në shkollë, ku disa vende si Franca dhe Holanda kanë ndërmarrë masa të ngjashme për të kufizuar përdorimin e telefonave celularë gjatë orëve të mësimit.
Ministria e Arsimit në Itali, e emërtuar “Ministria e Arsimit dhe Meritës” që prej ardhjes në pushtet të koalicionit të djathtë të Giorgia Melonit në 2022, po përpiqet të vendosë një model më rigoroz disipline dhe vlerësimi akademik në sistemin shkollor.







