FLASH :

Italia ekstradon nga Dubai një tjetër shqiptar: 44-vjeçari drejtonte rrjetin e drogës në Breshia, i shpëtoi operacionit “Tornado”

Një 44-vjeçar shqiptar, i konsideruar si një nga drejtuesit kryesorë të një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës, është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Itali, ku ishte shpallur në kërkim që nga viti i kaluar.

Shqiptari u arrestua në muajin shkurt në Dubai, ku ishte fshehur prej muajsh, dhe u ekstradua më 4 korrik në Romë nga agjentët e Interpol-it, të cilët udhëtuan drejt Emirateve për ta marrë në dorëzim. Ai u shoqërua me pranga në aeroportin e Fiumicinos dhe u dërgua menjëherë në paraburgim në burgun e Breshias.

Sipas autoriteteve italiane, ai kishte mundur t’i shpëtonte operacionit të madh antidrogë të koduar “Tornado”, të ndërmarrë nga Guardia di Finanza në Breshia, ku u shkatërrua një organizatë kriminale me degë në disa shtete. Hetuesit dyshojnë se shqiptari kishte rol drejtues në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe organizimin e transportit nga Amerika Latine drejt Europës.

Policia italiane njoftoi se pas rindërtimit të itinerarit të arratisjes së tij, u aktivizua Shërbimi i Bashkëpunimit Ndërkombëtar me mbështetjen e ekspertit të sigurisë të vendosur në Abu Dhabi, duke çuar në finalizimin e ekstradimit.

Ky është rasti i dytë brenda pak javësh që një shtetas shqiptar ekstradohet nga Dubai drejt Italisë. Në fillim të qershorit, u arrestua dhe u ekstradua gjithashtu Fatjon Gjonaj, një tjetër i kërkuar për trafik droge në zonën e Lombardisë.