Një koncert i planifikuar nga dirigjenti i njohur rus Valery Gergiev është anuluar në Itali, për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me presidentin Vladimir Putin. Gergiev do të drejtonte një orkestër më 27 korrik në festivalin “Un’Estate da Re” në Reggia di Caserta, pranë Napolit, në një paraqitje që do të shënonte rikthimin e tij në Europë pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë.
Anulimi erdhi pas reagimeve të forta politike dhe qytetare, ku mbi 16 mijë nënshkrues – përfshirë laureatë të Nobelit, politikanë dhe aktivistë – kundërshtuan pjesëmarrjen e Gergiev, duke e cilësuar si mesazh të rrezikshëm në një kohë lufte. Ministri italian i Kulturës, Alessandro Giuli, tha se “arti është i lirë, por propaganda nuk është”, ndërsa kritikët e koncertit e përshëndetën vendimin si një fitore ndaj influencës kulturore ruse.