Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 03:15, në një ndërtesë në qytetin e Torinos, Itali. Sipas mediave italiane, pesë persona kanë mbetur të plagosur, mes tyre edhe dy fëmijë që ndodhen në gjendje të rëndë në spital.
Një djalë 12-vjeçar ka pësuar djegie në 30% të trupit, ndërsa një vajzë 6-vjeçare është plagosur rëndë pasi një mur u shemb mbi të. Ekipet e kërkim-shpëtimit ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për të gjetur një person që rezulton i zhdukur, raporton La Repubblica.
Sipas shërbimit zjarrfikës, shpërthimi ka ndodhur në një papafingo në katin e sipërm të ndërtesës dhe më pas është përhapur në dy apartamente të tjera, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Shkaqet e shpërthimit janë ende nën hetim.







