Një 22-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën teksa punonte në Itali. Mediat italiane shkruajnë se i riu shqiptar i identifikuar si Daniel Tafa, ka qënë duke punuar në një fabrikë stampimi të ingranazheve industriale ku një copë e nxehtë metali e ka shpuar në shpinë, gjë që i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Nuk është ende e qartë se çfarë e shkaktoi incidentin në punë, një mosfunksionim i makinerisë apo një manovër e gabuar nga ana e të riu, ndërkohë që rasti është vënë nën hetim nga autoritetet.
Një prej kolegëve të tij tregoi se si ndodhi ngjarja.
“Ishte vendosur një copë në presë për të kryer një testim. Nuk e di se çfarë ndodhi por kjo pjesë doli nga vendi dhe e goditi”, tha ai.
Hetimet po kryhen nga karabinierët të cilët kanë vënë nën sekuestrim uzinën, makinerinë me të cilën u aksidentua i riu si dhe po merret në pyetje drejtuesi i fabrikës. Ndërkohë çfarë e bën më të dhimbshëm rastin është se sipas mediave italiane, Daniel Tafa kishte festuar ditëlindjen, një ditë para se të ndërronte jetë, ku kishte mbushur 22 vjeç.