FLASH :

Itali/ Ish i dënuar për vrasje dhe prostitucion, shqiptari arrestohet me 11 kg kokainë të pastër! Brenda furrës në shtëpi i gjenden një pistoletë dhe municion

Policia ialiane në Bolonja ka lokalizuar dhe arrestuar një shqiptar në zonën e Castel de’ Britti.

Operacioni është kryer javën e kaluar, por u njoftua vetëm një ditë më parë, teksa 33-vjeçari shqiptar me precedent penal, tani akuzohet edhe për trafik të mbi 11 kilogramëve kokainë të pastër dhe një pistolete të vjedhur me municione.

Gjithashtu ai rezultoi i dënuar me 14 vjet burg për vrasje me dashje të kryer në vitin 2011 në Bolonjë, por u lirua në maj 2024, pas vitesh paraburgimi edhe për krime që lidhen me shfrytëzimin e prostitucionit.

Hetuesit kishin monitoruar lëvizjet e tij për javë të tëra dhe vendosën të kontrollonin shtëpinë e tij. Atje oficerët gjetën në bodrum një çantë që përmbante dhjetë blloqe kokaine me peshë mbi 11 kilogramë.

Jo vetëm kaq. Brenda një furre të integruar ishte i fshehur një revolver ‘Arminius’ i kalibrit special 38, i vjedhur në provincën e Sienës, më 13 nëntor 2022, informon media italiane.

Arma ishte tashmë e mbushur me një plumb dhe 23 fishekë të tjerë të të njëjtit kalibër ishin fshehur gjithashtu në furrë, të fshehura brenda në një çorape.