Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ku një 23-vjeçar me origjinë shqiptare, Kevin Anghele, humbi jetën tragjikisht gjatë një ndjekjeje policore në Treviso. Sipas mediave italiane, i riu, duke tentuar t’i shpëtonte një patrulle policie, u largua me shpejtësi me makinën e tij tip Alfa Romeo Brera, por përfundoi duke u përplasur me një pemë.
Përplasja rezultoi fatale, duke i shkaktuar vdekjen në vend për shkak të plagëve të rënda. Hetimet paraprake tregojnë se pranë mjetit të aksidentuar u gjetën disa doza kanabisi, çka forcon dyshimet se i riu po përpiqej të shmangte arrestimin për shkak të lëndëve narkotike që mbante me vete. Kevin, i cili deri vonë kishte jetuar në Motta di Livenza me familjen, ishte zhvendosur së fundmi në zonën e Pordenones në Friuli Venezia Giulia. Policia italiane ka nisur hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes.







