Zjarre të fuqishme kanë përfshirë ishullin turistik grek Kios, duke detyruar pushuesit dhe banorët vendas të braktisin shtëpitë dhe resortet e tyre mes frikës për përhapjen e shpejtë të flakëve. Tre vatra të veçanta shpërthyen nën Manastirin Pangia Voitheia në orët e para të mëngjesit dhe në mesditë, dhe janë përhapur me shpejtësi për shkak të erërave të fuqishme që kanë mbërthyer zonën.
Zjarrfikësit po përballen me një situatë tepër të vështirë, ndërsa flakët kanë pushtuar pjesë të mëdha të ishullit. Evakuime masive janë urdhëruar në më shumë se një duzinë zonash, ndërsa banorëve të Karyes u është kërkuar të largohen drejt qytetit kryesor të Kiosit për sigurinë e tyre.
Autoritetet greke kanë hapur një hetim të thelluar pasi ekzistojnë dyshime serioze se zjarri mund të jetë vënë qëllimisht. Një forcë speciale është nisur drejt ishullit për të bashkëpunuar me njësinë e sigurisë shtetërore të policisë greke, me qëllim zbardhjen e plotë të shkaqeve të kësaj fatkeqësie.


Për të përballuar situatën, dhjetëra zjarrfikës janë dërguar me anije nga Athina dhe Selaniku për të forcuar ekipin prej 100 personash që ndodhen tashmë në terren. Dhjetë helikopterë që hedhin ujë dhe dy avionë zjarrfikës kanë ndërhyrë nga ajri për të ndihmuar në përmbajtjen e flakëve deri në perëndim të diellit. Përveç kësaj, janë vënë në dispozicion edhe cisterna me ujë dhe mjete të rënda për të hapur rrugë dhe krijuar barriera ndaj përhapjes së mëtejshme.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Greqisë, zjarret shpërthyen njëkohësisht në zonat Kofinas, Agia Ana dhe Agios Makarios në Vrontados, duke e bërë të vështirë ndalimin e tyre. Të tjera zona të prekura përfshijnë Agios Panteleimonas, Kastrominas, Paryfes, Gialourika dhe Panagia Voitheia.



Zjarret e verës janë një fenomen i shpeshtë në Greqi për shkak të klimës së saj të nxehtë dhe të thatë, por autoritetet theksojnë se ndryshimet klimatike kanë bërë që këto zjarre të bëhen më të shpeshta dhe më shkatërrimtare. Kujtojmë se në vitin 2018, një zjarr masiv në qytetin bregdetar Mati, në lindje të Athinës, shkaktoi vdekjen e mbi 100 personave, përfshirë ata që u mbytën në det ndërsa përpiqeshin t’i shpëtonin flakëve.