Një tjetër zhvillim në dosjen e inceneratorëve: Interpol Tirana dhe Policia e Shtetit konfirmuan ekstradimin nga Harare i Loran Dushës, 42 vjeç, administratorit të inceneratorit të Fierit, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar prej vitit 2022. Ai kërkohej me urdhër të GJKKO-së për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim i produkteve të veprës penale”, dhe ndaj tij ishte dhënë masa “arrest me burg”.
usha, administrator i kompanisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier”, është dënuar me 7 vite burg nga shkalla e parë, dënim që me gjykim të shkurtuar u ul në 4 vite e 8 muaj. Ai u gjykua në mungesë, ndërsa çështja është rikthyer për rigjykim nga Apeli i Posaçëm. Sipas hetimeve të SPAK, Dusha ka përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme përmes faturave fiktive për punë të pakryera, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 60 milionë lekësh. Pas mbërritjes në Shqipëri, ai është dorëzuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
Njoftimi i policisë:
Vijon operacioni policor ndërkombëtar “The Wanted”.
Falë bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Harare, u bë e mundur lokalizimi, kapja dhe ekstradimi nga Zimbabve, shtet në Afrikën Jugore, i shtetasit shqiptar L. D., 42 vjeç, lindur në Lushnjë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në vitin 2022, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, të kryera në bashkëpunim.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi L. D., në cilësinë e administratorit të një kompanie private, ka përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme, përmes faturave dhe pagesave fiktive, për punë dhe shërbime të pakryera.
Pas mbërritjes në Shqipëri, 42-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Policia e Shtetit është maksimalisht e angazhuar në bashkëpunimin ndërkombëtar për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve shqiptarë që fshihen jashtë vendit, me qëllim shmangien nga drejtësia.