FLASH :

Ishte 40 u bë 80 lekë! Rritet tarifa e autobusit, banorët e Shushicës peticion Bashkisë Elbasan

Banorët e fshatit Shushicë në Elbasan, i kanë dorëzuar bashkisë një peticion të firmosur nga nxënës, studentë dhe banorë të zonës. Ky veprim vjen pas vendimit për rritjen e tarifës së shërbimit të transportit publik nga 40 në 80 lekë të reja.

Banorët shprehen se për familjet në Shushicë do të jetë shumë e vështirë përballimi i kësaj rritjeje, pasi shumica e familjeve kanë 2 ose 3 fëmijë në shkollë, ndërsa për moshat e treta do të jetë thuajse e pamundur, pasi pensioni që ata marrin në muaj nuk u del as për ilaçe.

Ata shprehen se ky është një turp për këdo që e ka ndërmarrë këtë vendim dhe se në këtë vend nuk ka drejtësi, por vetëm mbushje xhepash të pushtetarëve.

Nga ana tjetër, lidhur me ankesat e banorëve, bashkia e Elbasanit i është përgjigjur në një shkresë zyrtare se rritja e çmimit ka ardhur si pasojë e rritjes së kostove reale të shërbimit.