FLASH :

Ish-stjuardesa britanike kapet me 46 kg drogë në Sri Lanka: Rrezikon deri në 25 vite burg

Një e re britanike është arrestuar në Sri Lanka pasi u kap me 46 kg kanabis të fuqishëm në bagazhin e saj, me vlerë rreth 1.2 milion paund. Charlotte May Lee, 21 vjeç, ish-stjuardesë e kompanisë TUI nga Coulsdon, në jug të Londrës, u ndalua në aeroportin Bandaranaike në Colombo, pasi mbërriti me fluturim nga Bangkok, Tajlandë.

E shoqëruar nga policia dhe me lot në sy, Charlotte doli para gjykatës së mbushur në kryeqytetin srilankez. Policia solli në sallë valixhet me sasinë e konsiderueshme të drogës së tipit “Kush”, një lloj kanabisi sintetik, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.

Ajo është akuzuar për posedim dhe import të lëndëve narkotike dhe rrezikon deri në 25 vite burg në një nga burgjet më famëkeqe të vendit, Welikada. Aktualisht ndodhet në burgun Negombo, ku qëndron 22 orë në ditë në një qeli të mbipopulluar, pa shtretër, pa batanije dhe pa qasje në medikamentet për ADHD.

Në një intervistë për MailOnline nga burgu, Charlotte pretendon se është e pafajshme dhe se dikush ia ka futur drogën në valixhe ndërsa ajo ishte në një dalje nate në Bangkok, një ditë para udhëtimit. “Nuk kisha asnjë ide që kishte drogë në valixhe. Mendoj se e di kush e ka bërë”, tha ajo.

Familja dhe miqtë e saj në Britani kanë mbetur të tronditur, duke e përshkruar Charlotte-n si një vajzë punëtore, e cila kishte shkuar në Azi për të festuar ditëlindjen e 21-të me motrën e saj dhe më pas kishte punuar përkohësisht në një “booze cruise” në Tajlandë.

Rasti i saj është bërë edhe më i ndjeshëm, pasi ndodhi vetëm disa orë pas arrestimit të një tjetër adoleshenteje britanike, Bella May Culley, 18 vjeç, në Gjeorgji, gjithashtu pasi mbërriti nga Tajlanda me 14 kg kanabis në bagazh. Të dyja vajzat u larguan nga aeroporti i Bangkokut të njëjtën ditë, por Charlotte ka mohuar njohjen me Bellën.

Zyra e Jashtme britanike ka konfirmuar se po mbështet Charlotte-n dhe është në kontakt me familjen dhe autoritetet lokale srilankeze. Ndërkohë, procesi gjyqësor do të vazhdojë në javët në vijim, ndërsa e reja vazhdon të mbajë qëndrimin se është viktimë e një kurthi ndërkombëtar të trafikut të drogës.