FLASH :

Ish prezantuesja e njohur televizive – Ironi të fortë për kandidatën e re të Ramës

Prezantuesja e njohur, Kostana Morava, ka bërë një reagim në rrjetin e saj social, Instagram, kundër listave të kandidatëve për deputet. Ajo ka vënë në dukje të veçantë kandidaten Marjana Koceku, si dhe emrat e parë në listë, të cilët duket sikur janë më shumë të afërm të emrave kryesorë, sesa njerëz me kontribut të vërtetë që i duhen politikës shqiptare.

Në një postim të vetin, ajo citon se:

“Kjo foto me qingjin, si Jezu Krishti, le të mbetet simbol i kësaj gënjeshtre të madhe që po na serviret. Çfarë u vu re në listat e partive, janë një numër i madh dhe të pafundëm emrash të panjohur, kryesisht të rinj, pa asnjë kontribut real në jetë. Njerëz që as nuk i kemi dëgjuar, e as nuk i kemi parë.”

“Kam publikuar një video për Marjana Kocekun, të cilën rastis që unë e njoh, e cila është vendosur e para në listën e Shkodrës për Partinë Socialiste. Modele të katapultuara në mënyrë të strukturuar, të paravendosur si Lali Eri brenda sistemit politik, janë modele të cilat unë refuzoj sot t’i besoj. Këta të rinj duket sikur vendosen aty si qengja dhe që, fatkeqësisht, përdoren nga disa ujqër që tashmë ne e dimë që fshihen pas tyre.”

“Qesharak është edhe rasti i Adriatik Lapaj, i cili vendos në listën e Beratit të parin, babain e tij. Ndërkohë, Endri Shabani vendos partneren. Njerëz të cilët janë provuar në jetë ende mungojnë në skenën politike shqiptare. Shqipëria, një vend kaq i vogël, nuk besoj se ka luksin që të presë dhe të shohë se si do të shkojnë këta të rinj të promovuar fuqishëm me të gjitha format e përdorura sot nga teknikat e marrëdhënieve publike.”

“Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur, për të pritur performancat e këtyre të rinjve të cilët promovohen sa në një zyrë, në një tjetër. Shqipëria sot ka një emergjencë për të pasur në vijën e parë të frontit njerëz të cilët janë të testuar dhe të provuar mbi jetën e tyre, marrëdhënieve që kanë ndërtuar, kompromiseve që i kanë bërë apo nuk i kanë bërë dhe qëndrimit intelektual që kanë pasur gjatë gjithë këtyre viteve të vështira të tranzicionit.”

Duket se Edi Rama e ka përqendruar të gjithë fushatën tek figura e tij personale dhe nuk duket sikur i prish apo i ndreq ndonjë punë fakti që vendos apo jo në listë personazhe të njohur apo persona anonimë, si në rastin kur ka mbushur shumicën e listave në këtë zgjedhje.