FLASH :

Ish-polic polici hero ndalon hajdutin me arrest qytetar – vetëm pak javë pasi u shkarkua për “sjellje të ashpër”

Lorne Castle, ish-oficer policie në Dorset i shkarkuar muajin e kaluar për përdorim të “forcës së tepruar” ndaj një adoleshenti me thikë, është bërë sërish lajm – këtë herë si hero i rrugës. 46-vjeçari ndërhyri pa hezitim kur pa një të ri që vraponte nga një dyqan Nike me mallra të vjedhura, duke e ndalur dhe mbajtur të shtrirë në tokë për 15 minuta derisa mbërritën ish-kolegët e tij të policisë.

Ngjarja ndodhi në mbrëmjen e së enjtes në qendrën tregtare Castlepoint në Bournemouth, të njëjtën ditë kur u konfirmua se Castle do të apelojë vendimin për përjashtimin e tij nga forcat e rendit.

Pamjet nga vendngjarja dhe reagimet në rrjetet sociale kanë shpërthyer në mbështetje për Castle-in. “Ky është polici që publiku kërkon,” tha një koleg i tij i dikurshëm. Një tjetër theksoi se Castle ishte “jashtëzakonisht i sjellshëm dhe madje kërkoi ndjesë” ndaj të dyshuarit që e ndaloi – në kontrast të plotë me akuzat që i kushtuan vendin e punës.

Castle u shkarkua për një arrest të mëparshëm në janar 2024, ku kishte ndaluar me forcë një 15-vjeçar që mbante një thikë, duke përdorur gjuhë të ashpër dhe duke e kapur për fytyre. Megjithatë, vendimi i shkarkimit u kritikua nga ish-komisioneri i policisë Martyn Underhill si një “reagim i ekzagjeruar” dhe akuzoi policinë se ishte bërë “tepër e butë dhe politike” në dënimet e saj.

Castle, fitues i një çmimi kombëtar për shpëtimin e një gruaje të moshuar nga një lumë i përmbytur, ka marrë mbështetje masive nga publiku, me një fushatë GoFundMe që ka mbledhur mbi £120,000 për të dhe familjen e tij.

“Policia e Dorset mund të më kishte shkatërruar,” tha ai për mediat. “Por historia ime ka prekur zemrat e njerëzve. Tani dua vetëm të pastroj emrin tim.”

Policia ka konfirmuar se personi i ndaluar është arrestuar dhe hetimet për vjedhjen vazhdojnë. Ndërkohë, figura e Lorne Castle po rritet si simbol i një “polici të vendosur” që nuk heq dorë nga detyra, edhe kur uniforma i është marrë.