FLASH :

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj sëmuret në burg! Shtrohet me urgjencë në QSUT

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është shtruar me urgjencë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), pas shfaqjes së një infeksioni të rëndë në lëkurë dhe temperaturë të lartë. Burime mjekësore bëjnë me dije se gjendja e tij kërkonte ndërhyrje të menjëhershme për trajtim të specializuar, çka ka bërë që ai të transferohet nga paraburgimi i Durrësit ku ndodhet prej më shumë se një viti.

Beqaj është nën hetim nga SPAK për dy dosje të mëdha korrupsioni: ajo e famshme për koncesionin e sterilizimit, për të cilën akuzohet për “shpërdorim detyre me pasoja të rënda” dhe “shkelje të barazisë në tendera”, si dhe dosja SASPAC, një projekt me financim të BE-së për ngritjen e sistemit elektronik të administrimit të fondeve IPA. Ish-ministri dyshohet se ka favorizuar një kompani të caktuar duke manipuluar procedurat dhe duke dëmtuar interesat shtetërore.

Për të dyja çështjet, Beqaj ndodhet në paraburgim dhe proceset gjyqësore ndaj tij janë ende në zhvillim. Gjendja e tij shëndetësore e rënduar ka shtuar shqetësimet mbi trajtimin mjekësor të të paraburgosurve në raste të tilla, ndërsa burime pranë avokatëve të tij nuk kanë përjashtuar mundësinë e kërkesave për lirimin nga masa e sigurisë për arsye shëndetësore.