FLASH :

Ish-kandidatja vazhdon shpërthimet ndaj PD: Berisha e fitoi garën e tij për të dalë i dyti!

Në një deklaratë të fortë në emisionin “Dekalogu” nga Roland Qafoku në DritareTV, ish-kandidatja për deputete e Partisë Demokratike Alesia Balliu akuzoi drejtpërdrejt Sali Berishën për prishjen dhe degradimin e Partisë Demokratike, duke thënë se ai e ka “shitur” partinë dhe se zgjedhjet ishin një garë e manipuluar, ku të vetmit fitues dolën Berisha dhe Rama.

“Berisha kishte interes të dilte i dyti. Rama fitoi, Berisha fitoi, dhe humbi Shqipëria. Ai ka dalë i fituar nga kjo histori. Kanë humbur demokratët, ka humbur populli që ka të drejtë të ketë një opozitë, të ketë një opsion për të zgjedhur. Këto të dy kanë fituar,” – deklaroi Balliu.

Ajo u shpreh e zhgënjyer dhe e revoltuar nga drejtimi që ka marrë PD-ja, duke theksuar se humbësit e vërtetë janë demokratët e thjeshtë dhe qytetarët që kanë besuar në një opozitë reale.

“Kanë humbur demokratët e thjeshtë si puna ime dhe shumë të tjerë që besojnë te kauza. Kanë besuar te ideali, te e vërteta. Nuk është thjesht gabim, është shitje,” – shtoi ajo.

Balliu kritikoi ashpër përbërjen e listës së kandidatëve të Partisë Demokratike, duke e quajtur atë “një listë humbëse dhe të pamerituar.” Sipas saj, lista nuk përfaqëson vlerat e demokratëve, por individë pa kontribut, të përfshirë përmes pazareve dhe lëvizjeve jo transparente.

“Unë do ta pranoja listën e mbyllur nëse aty do kishte individë me vlera. Por aty ka emra që kanë dalë si nga ‘Jeta është qejf’. Është një listë e humbësve,” – tha ajo, duke kujtuar takimin me Berishën 20 minuta para mbledhjes së Kryesisë, ku kishte paralajmëruar se lista nuk do të sillte fitore.

“I thashë: ‘Do i humbësh këto zgjedhje’. Ai më tha: ‘Mos u shqetëso’. Por unë e dija që ishte një listë humbëse. Kjo listë nuk merr asnjë mandat nga lista e hapur. Është e papërfaqësuar,” – u shpreh Balliu.

Në përfundim të intervistës, ajo theksoi se Berisha nuk i dha popullit alternativë për të zgjedhur, duke i shërbyer një loje që çoi në përfitimin e kundërshtarit.

“PD-ja nuk hyri për të fituar. Rama fitoi dhe Berisha fitoi. Kjo ishte një garë ku Berisha hyri për të humbur. Ai nuk i dha popullit shpresë dhe nuk ofroi alternativë. Kjo ishte një shitje”, përfundoi Balliu.