Trazira të mëdha përfshinë mbrëmjen e dytë rrugët e qytetit Ballymena në Irlandën e Veriut, ku qindra protestues të maskuar u përplasën me forcat speciale të policisë, duke ndezur makina, goditur me bomba molotov dhe sulmuar banesa e biznese.
Dhuna shpërtheu pas arrestimit të dy adoleshentëve 14-vjeçarë, të cilët kërkuan përkthyes rumanisht në gjykatë, pasi akuzohen për tentativë përdhunimi oral ndaj një vajze adoleshente më 7 qershor. Të hënën u arrestua dhe një 28-vjeçar në lidhje me ngjarjen, por më pas u la i lirë pas marrjes në pyetje.


Mbrëmjen e kaluar, më shumë se 300 persona të maskuar mbushën rrugët e lagjes Harryville, duke thyer xhama, djegur makina dhe qëlluar me fishekzjarrë, gurë, shufra metalike e edhe biçikleta fëmijësh drejt policisë. Situata degradoi pas një tubimi paqësor ku morën pjesë mbi 2500 qytetarë.
Policia e Irlandës së Veriut (PSNI) reagoi me topa uji dhe plumba gome (AEP), ndërsa përdori altoparlantët për t’u bërë thirrje protestuesve të shpërndaheshin. Forcat speciale Cobra mbështetën evakuimin e banesave, ndërsa shumë familje vendosën të largohen, të frikësuara për jetën.
Shumë qytetarë rumunë u shënjestruan drejtpërdrejt, duke përjetuar dhunë dhe dëme në banesa. Një nënë rumune me tre fëmijë deklaroi se fëmijët e saj e pyetën pse po sulmohej shtëpia e tyre. “Nuk dua të qëndroj më këtu. Jam e frikësuar”, tha ajo.
Një tjetër burrë rumun, banor prej 15 vitesh në Ballymena, u shpreh i tronditur: “Nuk e dimë pse na ndodhi kjo. E gjithë jeta jonë ka qenë e qetë këtu, kemi miq e përkrahje, por tani po mendojmë të largohemi.”
Deri më tani, policia ka arrestuar një 29-vjeçar të akuzuar për sjellje të dhunshme dhe rezistencë ndaj arrestimit. Arrestime të tjera priten pas analizës së pamjeve filmike.
Autoritetet dënuan ashpër dhunën me motive racore. Zëvendës shefi i policisë, Ryan Henderson, tha se po punohet për identifikimin dhe ndjekjen penale të të gjithë personave përgjegjës: “Nuk ka asnjë justifikim për vandalizmin dhe dhunën ndaj pakicave apo policisë.”
Sekretari për Irlandën e Veriut, Hilary Benn, deklaroi në rrjetet sociale: “Pamjet e dhunës civile në Ballymena nuk kanë vend në shoqërinë tonë. Dhuna dhe sulmet ndaj PSNI apo pronës private janë të papranueshme.”
Sipas autoriteteve, gjatë trazirave të së hënës u plagosën 15 oficerë policie dhe u dogjën katër banesa. Të martën, situata u stabilizua rreth orës 1 të mëngjesit, por për mbrëmjen e sotme janë paralajmëruar protesta të tjera.