Autoritetet iraniane kanë sekuestruar një cisternë të huaj në ujërat e Gjirit të Omanit, e dyshuar për kontrabandë të 2 milionë litrave karburant. Lajmi u konfirmua të hënën nga kreu i gjyqësorit në provincën Hormozgan, Mojtaba Ghahremani, për agjencinë gjysmëzyrtare të lajmeve Mehr.
Sipas autoriteteve, anija u ndalua për mungesë dokumentacioni ligjor për ngarkesën dhe u sekuestrua menjëherë, ndërsa 17 anëtarë të ekuipazhit u arrestuan. Ndaj tyre është hapur një çështje penale në prokurorinë e qarkut Jask. Ende nuk dihet emri apo flamuri i cisternës, por ky incident vjen në kuadër të përpjekjeve të Iranit për të frenuar kontrabandën e karburantit, një fenomen i përhapur për shkak të çmimeve të ulëta të brendshme dhe kërkesës së lartë në tregjet fqinje.







