FLASH :

Irani rikthen dënimet barbare: Tre burra u priten gishtat në burg, pas një gjyqi të dyshimtë

Tre burra të dënuar për vjedhje janë ndëshkuar me prerje të katër gishtave të dorës së djathtë në burgun e Urmias, në Iranin veriperëndimor, në orët e para të mëngjesit të së enjtes. Sipas faqes zyrtare të gjyqësorit iranian, ata u cilësuan si “hajdutë profesionistë” dhe kishin mbi 40 padi private në katër provinca.

Pavarësisht se kishin kërkuar falje dhe kishin ndërmarrë greva urie, gjykata e lartë iraniane konfirmoi dënimin ekstrem, me arsyetimin se të dënuarit nuk kishin bashkëpunuar për kthimin e sendeve të vjedhura, kryesisht bizhuteri floriri. Amnesty International dhe organizata të tjera kanë reaguar ashpër, duke theksuar se rrëfimet e tyre janë marrë nën tortura dhe procesi gjyqësor ishte “thellësisht i padrejtë”.

Sarah Hashas, zëvendësdrejtore për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Amnesty International, tha se ky akt është “një dëshmi e qartë e gatishmërisë së regjimit për të shkaktuar vuajtje të pariparueshme”.

Sipas të dhënave të Qendrës Abdorrahman Boroumand me bazë në SHBA, që nga viti 2000, autoritetet iraniane kanë prerë gishtat e të paktën 131 burrave të dënuar për vjedhje.

Dënimi me amputim është i lejuar nga Kodi Penal i bazuar në Sheriat, i vendosur në Iran pas revolucionit islamik të vitit 1979. Por organizatat ndërkombëtare e kanë dënuar rreptësisht si një praktikë çnjerëzore, mizore dhe degradues.

Mahmood Amiry-Moghaddam, drejtues i Iran Human Rights, deklaroi: “Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të tolerojë zbatimin e ndëshkimeve të tilla mesjetare në shekullin XXI.”

Ky rast është një tjetër kujtesë e errët e sistemit represiv që vazhdon të sundojë në Iran, nën maskën e drejtësisë fetare.