Irani ka rihapur të enjten hapësirën e tij ajrore, përfshirë edhe mbi kryeqytetin Teheran, pas mbylljes totale të saj më 13 qershor për shkak të përshkallëzimit të luftës me Izraelin. Lajmi u konfirmua nga agjencia shtetërore IRNA, e cila raportoi se aeroportet ndërkombëtare Mehrabad dhe Imam Khomeini në Teheran, si dhe aeroportet në veri, lindje, perëndim dhe jug të vendit, janë tashmë funksionale për fluturime vendase dhe ndërkombëtare.
Sipas autoriteteve, operimet do të zhvillohen nga ora 5:00 e mëngjesit deri në 18:00, përjashtuar aeroportet në Isfahan dhe Tabriz, ku fluturimet do të rifillojnë sapo të përfundojë infrastruktura mbështetëse. Rihapja vjen pas armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-të, që hyri në fuqi më 24 qershor dhe uli tensionet mes dy vendeve pas një vale sulmesh ajrore të ndërsjella. Më parë, Irani kishte rihapur vetëm pjesërisht hapësirën ajrore në lindje të vendit, duke i lejuar gradualisht fluturimet ndërkombëtare.