Irani do të rifillojë të marten (26 gusht) në Gjenevë bisedimet mbi programin e tij bërthamor me Francën, Britaninë dhe Gjermaninë, tre nga vendet nënshkruese të marrëveshjes së vitit 2015 që synojnë frenimin e aktivitetit bërthamor të Teheranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare. Sipas televizionit shtetëror iranian, raundi i ri i negociatave do të mbahet në nivelin e zëvendësministrave të jashtëm. Delegacioni iranian do të kryesohet nga Majid Takht-Ravanchi, ndërsa vendndodhja e saktë e bisedimeve ende nuk është konfirmuar.
Ky zhvillim vjen mes kërcënimeve të Francës, Britanisë dhe Gjermanisë për rivendosjen e sanksioneve të OKB-së ndaj Iranit, nëse nuk arrihet një zgjidhje deri në fund të gushtit.
Marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e njohur si JCPOA, vendos kufizime të rrepta për programin bërthamor të Iranit, duke lejuar pasurimin e uraniumit deri në 3.67%.
Por pas tërheqjes së SHBA nga marrëveshja në vitin 2018 gjatë presidencës së Donald Trump, Irani ka nisur ta shkelë atë, duke rritur pasurimin deri në 60%.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ka konfirmuar se Irani është i vetmi vend jo-bërthamor që pasuron uranium në këtë nivel, një hap që e afron më shumë me kapacitetin për të ndërtuar një armë bërthamore, megjithëse niveli i nevojshëm për këtë është 90%. Teherani mohon çdo synim ushtarak dhe këmbëngul se programi i tij është thjesht për qëllime paqësore dhe energji civile.