Pamje të reja që po qarkullojnë në rrjetet sociale pretendohet se tregojnë një formacion dronësh iranianë duke fluturuar mbi hapësirën ajrore të Irakut të premten, me destinacion Izraelin. Këto pamje, që po përhapen me shpejtësi, kanë ngjallur alarm në gjithë rajonin, ndërsa tensionet mes Teheranit dhe Tel Avivit kanë shpërthyer në një nga përplasjet më serioze të viteve të fundit.
Media britanike Middle East Eye thekson se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur vërtetësinë e videove, por burime ushtarake izraelite kanë konfirmuar se më shumë se 100 dronë iranianë janë nisur drejt territorit të Izraelit.
Ky zhvillim vjen vetëm disa orë pas një sulmi ajror masiv të ushtrisë izraelite ndaj dhjetëra objektivave brenda Iranit, përfshirë impiante bërthamore dhe bazat ushtarake të Gardës Revolucionare. Sipas raportimeve, në këto sulme kanë humbur jetën komandantë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë të fushës bërthamore.
Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Effie Defrin, deklaroi se “të gjitha sistemet e mbrojtjes ajrore janë në funksion për të kapur dhe neutralizuar kërcënimet nga ajri”.
“Kjo është një situatë e pazakontë, shumë më ndryshe nga çdo përballje e mëparshme – dhe Izraeli pritet të përballet me orë të vështira,” paralajmëroi ai.
Kjo përshkallëzim dramatik ndodh në një moment kritik, kur bashkësia ndërkombëtare është gjithnjë e më e shqetësuar për mundësinë e një konflikti të hapur mes dy fuqive rajonale – me pasoja të papara për stabilitetin e Lindjes së Mesme.