FLASH :

Irani ekzekuton një zyrtar të akuzuar për spiunazh për Izraelin: Zbuloi të dhëna për shkencëtar bërthamor të vrarë gjatë luftës së qershorit

Autoritetet iraniane kanë ekzekutuar të mërkurën Roozbeh Vadi-n, një punonjës në një nga institucionet “kyçe dhe të ndjeshme” të vendit, i cili u dënua për spiunazh në favor të Izraelit. Sipas faqes zyrtare të gjyqësorit iranian, Mizan Online, Vadi kishte kaluar informacione sekrete për një shkencëtar bërthamor iranian që u vra gjatë sulmeve ajrore izraelite në luftën 12-ditore të qershorit.

Ekzekutimi i Vadi-t u krye me varje, pas konfirmimit të vendimit nga Gjykata e Lartë. Ai ishte rekrutuar online nga shërbimi sekret izraelit Mossad, dhe për shkak të pozitës së tij në një strukturë të ndjeshme shtetërore, kishte akses në dokumente konfidenciale. Nuk dihet ende zyrtarisht se kur Vadi është arrestuar apo dënuar.

Sulmet e paprecedenta të Izraelit në mes të qershorit ndaj objektivave ushtarakë dhe shkencorë në Iran shkaktuan dhjetëra viktima, përfshirë komandantë të lartë, shkencëtarë bërthamorë dhe qindra të tjerë. Mediat lokale raportojnë se të paktën një duzinë shkencëtarësh bërthamorë u vranë gjatë operacionit.

Ndërkohë, po të njëjtën ditë, autoritetet iraniane njoftuan edhe ekzekutimin e një personi të akuzuar për anëtarësi në grupin ekstremist Shteti Islamik (ISIS), i cili dyshohej se po planifikonte atentate brenda territorit iranian.

Pas përfundimit të luftës 12-ditore, në të cilën edhe SHBA ndërhyri duke goditur tre objekte bërthamore iraniane, Irani nisi një valë të gjerë arrestimesh dhe ndëshkimesh ndaj personave të dyshuar për bashkëpunim me Izraelin. Sipas organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Irani mbetet vendi i dytë në botë për numrin e ekzekutimeve pas Kinës.

Izraeli e ka justifikuar ofensivën si të domosdoshme për të penguar programin bërthamor të Iranit, i cili shihet si një kërcënim ekzistencial ndaj shtetit hebre. Vetë autoritetet izraelite kanë pohuar se operacioni u bazua në informacione të detajuara të siguruara nga brenda Iranit, përfshirë edhe pamje ku shfaqen dronë që nisen nga toka iraniane.

Në përgjigje, Irani lëshoi qindra raketa ndaj qyteteve izraelite, duke vrarë 29 persona dhe plagosur mbi 3,000 të tjerë. Që nga ajo kohë, Republika Islamike ndodhet përballë një vale të re destabiliteti të brendshëm dhe një goditjeje të fortë ndaj çdo forme opozite apo bashkëpunimi të dyshuar me Izraelin.