Irani ka rënë dakord të rifillojë bisedimet me tre vendet kryesore evropiane, Francën, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar në përpjekje për të zhbllokuar ngërçin e zgjatur mbi programin e tij bërthamor.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaroi se është në kontakt me zyrtarët evropianë për të caktuar një datë për takimin
“Po punojmë për të caktuar një datë për takimin me evropianët”, tha ai për mediat lokale.
Ai theksoi se qasja e re e Teheranit ndaj këtyre bisedimeve është më e vendosur dhe më konstruktive. Sipas burimeve nga media iraniane, Araqchi ka zhvilluar bisedime me shefen e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, si dhe me homologët e tij në Paris, Londër dhe Berlin.
Burimet shtuan se është rënë dakord mbi formatin e negociatave, të cilat pritet të zhvillohen në nivelin e zëvendësministrave të jashtëm. Këto diskutime mund të hapin rrugën për një dialog më të gjerë midis Iranit dhe vendeve perëndimore, në një kohë të tensionuar pas konfliktit të fundit 12-ditor me Izraelin dhe sulmeve të raportuara nga SHBA-të dhe Izraeli ndaj objekteve kryesore bërthamore të Iranit.
Pas këtyre sulmeve, Irani pezulloi bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), duke larguar inspektorët ndërkombëtarë nga terreni. Kjo ka shtuar presionin ndërkombëtar mbi Teheranin për të rifilluar angazhimet e tij.
Bisedimet vijnë në një moment vendimtar, pasi fuqitë evropiane kanë paralajmëruar se mund të rivendosin sanksionet që ishin lehtësuar në kuadër të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, duke aktivizuar një mekanizëm të ashtuquajtur “kthim në kohë”, nëse Irani refuzon të kthehet në tryezën e bisedimeve.