FLASH :

Iran: Shkatërrim i plotë apo vetëm dëme të vogla?

Pavarësisht deklaratave triumfale të presidentit amerikan Donald Trump se sulmet ajrore “shkatërruan plotësisht” objektet bërthamore të Iranit dhe “e kthyen disa dekada prapa” programin e tij, burime të shumta – përfshirë inteligjencën amerikane, Izraelin dhe median ndërkombëtare – tregojnë një realitet shumë më të përmbajtur.

Trump, gjatë Samitit të NATO-s në Hagë, sulmoi mediat si CNN dhe New York Times për raportimet se dëmet ishin të kufizuara, duke i quajtur ato “lajme të rreme”. Megjithatë, vlerësimi paraprak i shërbimeve sekrete amerikane tregon se objektet nëntokësore si ai në Fordo mbetën të paprekura, ndërsa dëmtimet u kufizuan vetëm në hyrjet e impianteve. Sipas raportimeve, Irani kishte zhvendosur paraprakisht rezervat e uraniumit të pasuruar.

Izraeli, një aleat kyç në këtë operacion, gjithashtu është i rezervuar. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Effie Defrin, pranoi se është herët për vlerësime përfundimtare, por shtoi se programi bërthamor iranian “është kthyer disa vite mbrapa”.

Ndërkohë, Irani ka raportuar për “dëme të rënda” në impiantet bërthamore, por pa dhënë hollësi. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) ka kërkuar hyrje urgjente për të inspektuar situatën, ndërsa parlamenti iranian ka vendosur të pezullojë përkohësisht bashkëpunimin me agjencinë.

Pas këtij raundi përshkallëzimi ushtarak, shumëçka mbetet e paqartë – që nga gjendja reale e impianteve iraniane, deri te ndikimi afatgjatë në kapacitetin bërthamor të Teheranit.