Apple ka deklaruar se po e zhvendos pjesën më të madhe të prodhimit të iPhone dhe pajisjeve të tjera që shiten në SHBA, larg Kinës e cila është shënjestruar nga tarifat e presidentit Trump.
Pjesa më e madhe e iPhone që do të shiten në tregun amerikan në muajt në vijim do të prodhohen në Indi, ndërsa në Vietnam do të prodhohen iPad dhe Apple Watch. CEO i Apple, Tim Cook tha:
“Ne presim që pjesa më e madhe të iPhone të shitur në SHBA të kenë Indinë si vend origjine. Ndërkohë Vietnami do të jetë njësia e prodhimit “thuajse për të gjitha iPad, Mac, Apple Watch dhe AirPods që shiten në SHBA”.
Ndryshimi i linjave të prodhimit drejt Indisë do të dojë kohë dhe investim miliarda dollarë.
Kina do të mbetet vendi i origjinës për pjesën më të madhe të produkteve që shiten jashtë SHBA-së.
Gjiganti teknologjik ka vlerësuar se taksat e importit mund të shtonin kosto 900 milionë dollarë, pavarësisht vendimit të Trump për të përjashtuar pajisjet e rëndësishme elektronike nga tarifat e reja.
Administrata Trump është shprehur disa herë se do që Apple ta zhvendosë prodhimin në Amerikë.
Kompanitë në të gjithë botën po hasin vështirësi për t’iu përgjigjur ndryshimeve të mëdha që kanë shkaktuar politikat e Uashingtonit në tregtinë ndërkombëtare.
Gjatë një telefonate me investitorët ditën e enjte, për të diskutuar performancën financiare, CEO i Apple tërhoqi vëmendjen drejt planeve të investimit në SHBA. Ai e hapi diskutimin duke u kujtuar planet e kompanisë për të investuar 500 miliardë dollarë në disa shtete të SHBA-së në 4 vitet e ardhshme.
Për momentin, trazirat në tregti nuk i kanë prekur shitjet e Apple. Kompania tha se të ardhurat e tremujorit të parë të vitit u rritën me 5% (95.4 miliardë dollarë) në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.